Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin më të thellë për situatën alarmante që po ndodh në vend, ku qytetarët janë të detyruar të organizohen vetë për të mbrojtur interesat e tyre përballë rritjes së papërballueshme të çmimeve të produkteve ushqimore dhe bazike.
Nisma qytetare “Bojkoto tregjet” po përhapet tashmë edhe në Maqedoninë e Veriut, duke shënuar një moment kritik për qeverinë dhe institucionet e shtetit.
Kjo nismë është shenjë e fundit e një populli të lodhur nga një qeveri arrogante dhe e paaftë, e cila nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për të mbrojtur qytetarët nga goditjet ekonomike dhe padrejtësitë sociale.
Në të kaluarën, qeveria jonë, edhe pse jo gjithmonë të mjaftueshme, kishin ndërmarrë masa për të zbutur efektet e krizave.
Por sot, kjo qeveri jo vetëm që ka dështuar të veprojë, por ka treguar një indiferencë dhe moskokëçarje të paprecedentë ndaj halleve të qytetarëve.
BDI dënon ashpër paaftësinë e qeverisë aktuale për të përdorur instrumentet institucionale në mbrojtje të qytetarëve të saj.
Kjo situatë ka nxjerrë në pah dështimin e plotë të kësaj qeverie për të garantuar stabilitet ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët.
Arroganca dhe mungesa e përgjegjshmërisë së kësaj qeverie ka detyruar qytetarët të marrin situatën në duart e tyre, duke treguar mungesën totale të besimit në institucionet shtetërore.
BDI i bën thirrje qeverisë të reflektojë menjëherë dhe të ndërmarrë masa konkrete për të ulur çmimet e produkteve bazike dhe për të mbrojtur qytetarët nga abuzimet në treg.
Kjo situatë nuk mund të vazhdojë më tej dhe është koha për një përgjigje të qartë dhe të përgjegjshme ndaj krizës që po përjeton populli.