BDI: Shkarkimi i Arben Ziberit për shkak mbiemrit të tij flet për urrejtjen latente etnike të partive politike maqedonase. Arbeni nuk do shkarkoheshte nëse do ta kishte mbiemrin Spasovski!

Shkarkimi i Drejtorit të Qendrës së Shëndetit Publik është një veprim i  turpshëm i hakmarrjes politike dhe urrejtjes latente ndaj shqiptarëve. Arben Ziberi gjithmonë i ka shërbyer vendit dhe qytetarëve të tij me besnikëri dhe përkushtim dhe pa dyshim ka luajtur një rol të madh në  menaxhimin e krizës së koronës. Ndërkohë që Ministri i Shëndetësisë vetëm lexonte ato qe Arben Ziberi i bënte, ai nuk pati skrupuj për mos të ndjekur urdhrat e LSDM-së për të shkarkuar punonjësin e tij për arsye të njëanshme.

Marketing

Arsyeja e shkarkimit të tij është më se e qartë, pasi ajo ndodhi menjëherë pasi xhaxhai i Arben Ziberit pranoi të ishte kandidati për Kryeministër. Prekja e familjes së kandidatit të parë shqiptar për Kryeministër është një turp dhe një veprim i papranueshëm. Gjithashtu tregon mendësinë e partive maqedonase, që sipas tyre pushteti u takon vetëm maqedonasve dhe shqiptarët nuk kanë të drejtë ta kërkojnë Kryeministrin.

Shkarkimi është gjithashtu një veprim i qartë kundër lirisë së fjalës dhe një akt diskriminimi, pasi asnjë deri tani nuk u pushua kurrë nga qeveria për shprehjen e mendimit të tij në Facebook. Pa gjykuar aspak mbi përmbajtjen e postimit të Ziberit, të gjithë e dinë se nëse kjo do të ishte arsyeja e vërtetë, gjysma e ministrave të LSDM-së, përfshirë ish-kryeministrin Zaev, do të duhej të ishin pushuar nga puna disa herë.
“Një shoqëri” nuk është më shumë se një parullë marketingu për LSDM-në.

Pas fasadës, LSDM ende nuk është më mirë se paraardhësit e tyre duke mos i pranuar ende parimet themelore demokratike si liria e fjalës, barazia dhe e drejta e etnive jo-shumicë për të emëruar kandidatin e tyre për Kryeministër. Për qytetarët shqiptarë, por edhe për qytetarët e etnive të tjera, si dhe për maqedonasit me mendje të hapur, ky veprim i papranueshëm i LSDM-së është një arsye më shumë se pse ne kemi nevojë  për Kryeministrin e parë shqiptar që të sjellë ndryshim real dhe barazi në Maqedoninë e Veriut. Qytetarët do të japin përgjigjen e tyre në fletëvotime.