BDI: Skandaloz krahasimi i BE dhe Von Der Leyen me nacistët nga deputetja e VMRO-së

Bashkimi Demokratik për Integrim dënon fjalorin ofendues të deputetes së VMRO DPMNE-së Ollga Llozanovska, e cila në fjalimin e saj skandaloz në Kuvend krahasoi Bashkimin Europian me regjimin nacist pas vizitës që kryetarja e Komisionit Europian znj. Ursula Von Der Layen realizoi dje në vendin tonë.

Marketing

Përdorimi i një retorike të këtillë absurde, të frymëzuar nga një ideologji destruktive antiperëndimore dhe në thelb proruse është i papranueshëm dhe nuk mund të ketë vend në shoqërinë tonë demokratike.

Bëjmë thirrje deri te të gjithë deputetët për pjekuri, maturi, respektim të kodit etik të prononcimit në shtëpinë e demokracisë dhe mbi të gjitha për respekt ndaj përkrahjes që vendet e Bashkimit Europian i kanë dhënë gjithmonë zhvillimit demokratik të vendit tonë.

Deputetja Llozanovska të kërkoj falje publike dhe VMRO DPMNE të distancohet nga fjalori i deputetes duke kërkuar përgjegjësi për fjalët e përdorura nga ana e saj.

Bashkimi Demokratik për Integrim fton për racionalitet dhe pjekuri vendimmarrëse nga të gjitha palët tashmë kur evidente është se propozimi francez nuk cënon tiparet e identitetit gjuhësor, kulturor dhe historik të qytetarëve maqedonas të vendit.