BDI Strugë: ASH manipulon në mes të sezonit veror turistik!

Grupi i këshilltarëve në Këshillin e Komunës së Strugës ka reaguar ndaj press konferencës së një dite më parë nga Aleanca për Shqiptatët të cilët akuzuan për keqmenaxhimin e turizmit. Reagimi i plotë:

Marketing

JOKOMPETENTËT E TURIZMIT TË STRUGËS

Të nderuar struganë,
Dje, në konferencë për shtyp në qiell të hapur, një kryetar i një subjekti politik shqiptar opozitar që vepron në Strugë, duke tentuar të trajtojë një milion probleme të qytetit, mori përsipër ta trajtojë edhe turizmin, sigurisht nga pikëvështrimi i tyre anti-progresiv dhe manipulativ në mes të sezonit veror turistik.
Është mëse e vërtetë që turizmi është degë shumë e rëndësishme ekonomike, sidomos kur bëhet fjalë për zhvillimin ekonomik lokal dhe për të gjitha efektet multiplikative pozitive që ka në raport edhe me degët e tjera të ekonomisë në përgjithësi. Zhvillimi i turizmit ka qenë dhe do të mbetet si një nga aspektet më strategjike të zhvillimit të shtetit tonë, tashmë aspekt i vulosur i veprimit politik të BDI-së.
Shqyrtimi jonë ndaj konferencës së sipërpërmendur do të nisë nga fundi i saj:
– Dhjetë (10) pikët që subjekti politik opozitar ka për qëllim t’i parashtrojë deri te komuna sigurisht që do të pranohen sipas një procedure apo protokolli për pranimin e kërkesave, informacioneve, projekteve apo propozimeve, te sporteli i komunës, në orar pune nga ora 08:00 deri ora 16:00, pa ASNJË PAGESË. Shtrohet pyetja: pse nuk u dorëzuan gjatë përgatitjes së programit për zhvillimin e turizmit në fund të vitit 2021 për vitin aktual 2022, në komision të turizmit apo në seancë të Këshillit të komunës, sipas Rregullores për punë të këshillit komunal? Pati diskutime dhe debatime edhe në komision edhe në mbledhje të këshillit, por “dashamirësia” e subjektit politik shqiptar opozitar për turizmin “doli lakuriq” kur ky subjekt në fjalë, me votat edhe të partnerëve të koalicionit, votuan “KUNDËR” njëzëri për Programin për zhvillimin e turizmit në Strugë. Tani, institucioni demokratik vendimmarrës në nivel të komunës (Këshilli i komunës) duhet të jetë forumi apo arena ku duhet të ballafaqohemi me fakte, e faktet janë në anën tonë, në anën e drejtë. Thënë thjeshtë, ju tentuat ta manipuloni publikun me gënjeshtra dhe fakte të pabaza,
– Jemi shumë dakort me atë shprehjen “një fotografi sa njëmijë fjalë”, por kësaj rradhe fotografia përmban gjashtë fjalë: katër zotërinj dhe një zonjë e nderuar. Sipas profesionit të tyre, ashtu siç e dimë, kompetencat e tyre në fushën e turizmit janë barabart me zero, plus minus. Me gjithë respektin ndaj profesioneve të tyre, në rradhë të parë si punëtorë të zellshëm e profesionistë, nuk do të dakordohemi aspak, në fakt, nuk mund t’i thyejmë parimet tona e të debatojmë apo të diskutojmë me persona jokompetentë në një fushë të caktuar, sepse në të kundërtën do të biejmë në nivelin e tyre të komunikimit,
– Sa për dijeni, te faqja zyrtare e Komunës së Strugës, ka një pjesë apo link që ka të bëjë me turizmin dhe aty ekziston një databazë për statistikë turistike, ligje, regjistra, komisione, formularë, në shërbim të të gjithë atyre që interesohen për turizmin. Nëse do të kishit pak “sens” për turizmin, do të nisnit të lexoni e të analizoni e të sjellni konkluzione objektive reale, ashtu siç duhet të bëjë një qytetar i rëndomtë, qoftë edhe intelektual. Dokumentacioni në fjalë është i përgatitur në mënyrë profesionale, nga nëpunës administrativë profesionalë në komunë, pikërisht nga fusha e turizmit e hotelerisë, shumë në kundërshtim me pikën 3 të konferencës tuaj për shtyp,
– Edhe njëherë vërtetohet jokompetenca juaj në sferën e turizmit, sepse Komuna e Strugës nuk merr pjesë në panaire të “zbehta” turistike, sidomos kur ato janë “shtetërore” apo “ndërshtetërore”. Terminologjia turistike i njeh si “panaire kombëtare” (national fairs) dhe “panaire ndërkombëtare” (international fairs). Është hipokrizi e paparë ta etiketosh panairin e turizmit në Prishtinë dhe në Tiranë si të zbeht, sidomos kur është fakt i pamohueshëm që turistët e Shqipërisë dhe Kosovës janë mysafirët tanë më të dashur dhe të respektuar, por edhe të shumtë në numër dhe për fjalët e tilla ofenduese ne nuk do tju falim. Kemi kërkuar nga Komuna e Strugës për disa të dhëna dhe e njoftojmë publikun strugan se ka në dispozicion shumë materiale promovuese/propaganduese turistike (broshura në tre gjuhë, postera, harta të qytetit, qese reklamuese), për këdo,
– UNESCO është fantashkencë për subjektin politik shqiptar opozitar në Strugë dhe për këtë çështje nuk do të humbim kohë për debate të kota, vetëm për një arsye: në mandatin e tyre, ishin ata që donin të rrafshonin gjithçka në brigjet e liqenit e me këtë ta rrafshojnë edhe zhvillimin ekonomik lokal, më konkretisht, zhvillimin e turizmit, për të cilin tani po “derdhin lotë krokodili”,
– “Banderola informuese dhe propaganduese” janë banderola (shirita) ngjitëse që vendosen në kapakët e shisheve me alkool, si detyrim ligjor për akcizat, në krahasim me “tabelat informuese turistike”, me formë dhe dizenjo specifike, shumë të kushtueshme nëse vendosen buzë rrugëve magjistrale, nacionale apo autostradave në vend apo jashtë vendi.