Deklaratat e fundit mbi të ashtuquajturën “mbështetje të ndërsjellë” me VMRO-DPMNE-në, për zgjedhjet lokale nuk janë asgjë tjetër veçse një përpjekje e dëshpëruar për të krijuar një iluzion force aty ku nuk ka as mbështetje, as legjitimitet.
Realiteti është i qartë: ata nuk mund të fitojnë asnjë garë pa ndihmën e të tjerëve, sepse shqiptarët tashmë i kanë refuzuar.
Në zgjedhjet e fundit, shqiptarët dhanë një mesazh të qartë: ata nuk i shohin si përfaqësues të tyre.
Koalicioni i tyre u refuzua nga votuesit dhe sot, me një parti që nuk kalon as 1% mbështetje, nuk po përpiqen të rikthejnë besimin e shqiptarëve, por po kërkojnë shpëtim diku tjetër.
Prandaj, kanë zgjedhur t’i dorëzohen një partie maqedonase, duke shpresuar se votat e saj do t’i mbajnë politikisht në lojë.
Por shqiptarët e dinë mirë: një parti që nuk ka mbështetje mes shqiptarëve nuk mund të fitojë për shqiptarët, e aq më pak të udhëheqë komunat shqiptare.
Përtej fjalëve dhe justifikimeve, e vërteta është e thjeshtë: kush nuk ka mbështetjen e popullit të vet, nuk mund të marrë përsipër të përfaqësojë askënd.
Deklarata “Ne do të fitojmë sepse VMRO-DPMNE do të na ndihmojë” nuk është strategji, por dorëzim.
Dhe shqiptarët nuk ndjekin ata që dorëzohen. Ndërsa përpiqen të mbajnë veten politikisht në këmbë përmes manipulimeve të tipit “Ne do ta marrim ministrin e Brendshëm”, siç bënë para zgjedhjeve, e më pas u instalua një zëvendësministër kukull dhe i heshtur, ne kemi diçka që ata nuk mund ta marrin dot: mbështetjen e shqiptarëve, votën e tyre dhe besimin e tyre.
Ky është dallimi i madh: ne e marrim fuqinë nga populli, ndërsa ata po përpiqen ta marrin nga të tjerët.
Historia ka treguar se shqiptarët dinë të dallojnë mes atyre që u qëndrojnë besnikë dhe atyre që kërkojnë rrugë të shkurtuara për pushtet.
Fitorja nuk blihet, as nuk huazohet.
Fitorja fitohet.
Dhe ne do ta fitojmë sërish!