Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron që çdo paraqitje publike e fraksionit të PDSHsë së Menduh Thaçit, LR PDSHsë, dhe eksponentëve të saj, zbardh drojën e tyre në palcë nga ballafaqimi i drejtpërdrejtë me BDInë dhe përjetimin e dështimit të pestë me rradhë në procese zgjedhore që nga fraksionimi i tyre me PDSHnë ose të shtatëmbëdhjetin në përgjithësi.
I mposhtëm në mënyrë absolute që nga viti 2002 e gjer më sot, por në veçanti në zgjedhjet parlamentare më 2016, më pastaj në zgjedhjet lokale ku edhe kryetari i tyre, pasi braktisi PDSHnë, humbi në qytetin e tij, duke vijuar me zgjedhjet e parakohëshme në Dibër si dhe ato presidenciale.
Edhe pas 4 humbjeve nga BDI-ja, si dhe mospërkrahjes së referendumit për NATO dhe BE, asnjë nga ata nuk pati guximin të bartë përgjegjësi demokratike, morale dhe politike dhe kjo flet për mungesën e respektit ndaj vullnetit të qytetarëve nga ky subjekt.
Ish partneri jonë qeverisës, në përpjekje të vazhdueshme për të kamufluar dështimet e njëpasnjëshme dhe për të prodhuar lajme të rreme të përditshme skandaloze, implikon paturpësisht Tiranën dhe Prishtinën dhe partitë tjera në përralën e tyre defetiste.
Ngjashëm bënë edhe gjatë krijimit të përrallës së “Platformës së Tiranës” duke i shërbyer argumentimit të opozitës maqedonase, partnerit të tyre ideologjik.
Në rrethana të tilla, kur edhe LR – PDSH-ja nuk ka asnjë dyshim në fitoren e rradhës të Bashkimit Demokratik për Integrim, ka vendosur përsëri të vë në përdorim strategjinë e tyre të zgjedhjeve presidenciale dhe atyre lokale duke kërkuar persona të tjerë dhe parti politike opozitare për t’i fajësuar për humbjen që do të rëndon mbi shpinën e tyre.
Pretendimet skandaloze të Taravarit dhe LR PDSHsë për ndërhyrje të “faktorëve të jashtëm” dhe kërkimi i shpëtimit nga dështimi i rradhës prej faktorëve të tjerë, partive tjera, lajmeve të rreme dhe bashkimit për të rrënuar çdo të arrirë, do të dënohen nga qytetarët.
Fatkeqësisht, qytetarët janë dëshmitarë që e vetmja agjendë e fraksionit të PDSHsë është destruktiviteti, provokimi me shpifje, prodhimi i lajmeve të rrejshme, propaganda dhe mashtrimi.