Delegatët e kongresit të katërt zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim i vlerësojnë si të suksesshme politikat e deritanishme për vendimmarje konsensuale dhe orientim integrues të vendit tonë.
Kongresi i Bashkimit Demokratik për Integrim konstaton se kryefjalët e veprimtarisë tonë politike që nga vet themelimi janë përqafuar fuqishëm nga qytetarët dhe janë zbatuar me përpikmëri, prandaj propozon mbindërtim të konceptit të konsensualitetit dhe të integrimit duke i bashkuar ato si të ndërsjella dhe komplementare.
Kongresi i Bashkimit Demokratik për Integrim propozon Rezolutë mbi integrimin tre-nivelësh konsensual që janë të përputhshme njëra me tjetrën dhe në kohezion të tërësishëm me Deklaratën Themeluese të Bashkimit Demokratik për Integrim si dhe paraqesin vazhdimësi të veprimtarisë së deritanishme të Bashkimit Demokratik për Integrim.
Kongresi konsideron që integrimi i brendshëm, ndërshqiptar, rajonal dhe euroatlantik janë procese ngushtë të ndërlidhura dhe të kushtëzuara nga konsensualiteti shoqëror si procese jetike për të ardhmën e përbashkët.
Integrimi në një shoqëri qytetarësh dhe komunitetesh tërësisht të barabarta sigurohet nëpërmjet vendimmarjes konsensuale të dy komuniteteve shumicë, bashkë edhe me komunitetet tjera, si dhe lojalitet të plotë të shtetit ndaj qytetarit si parakusht të lojalitetit të qytetarit ndaj shtetit.
Integrimi rajonal i vendeve të Evropës Juglindore është i domosdoshëm dhe arrihet në frymën euroatlantike të heqjes së kufijve dhe bashkimit të infrastrukturës, tregut, lëvizjes së lirë të qytetarëve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, si dhe respektit dhe njohjes së ndërsjellë në frymën e solidaritetit dhe demokracisë.
Kongresi rikonfirmon synimin tonë për integrim të natyrshëm ndërshqiptar nëpërmjet të heqjes së kufijve me Prishtinën dhe Tiranën, lidhjes infrastrukturore, bashkëpunimit dhe komunikimit të ngushtë vëllazëror në të gjitha sferat shoqërore.
Kongresi konstaton që integrimi euroatlantik tashmë është në rrugë të drejtë nëpërmjet finalizimit të anëtarësimit në NATO si prioritet absolut i Bashkimit Demokratik për Integrim si dhe nëpërmjet të hapjes së bisedimeve aderuese në Bashkimin Evropian dhe gjithmonë në partneritet strategjik dhe bashkëpunim të ngushtë me aleatin tonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vendimmarrje konsensuale, bashkëqeverisje, barazia janë parakushte për integrim në të gjitha nivelet nëpërmjet marrjes së përgjegjësisë nga të gjithë përfaqësuesit legjitim.
Demokracia funksionale e shtetit shumëtnik me standarde evropiane do të arrihet në mënyrë më kumptimplote dhe efikase nëpërmjet integrimit përmes demokracisë konsensuale dhe instalimit të mekanizmave për vendimmarrje konsensuale në të gjitha nivelet dhe temat me interes strategjik dhe gjithpërfshirës.
Delegatët e kongresit të katërt zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim konstatojnë që integrimi konsensual është kryefjala në periudhën vijuese të veprimtarisë sonë politikë për të siguruar barazi, drejtësi, siguri, stabilitet të qëndrueshëm dhe integrim të plotë brenda vendit, rajonit dhe komunitetit euroamerikan duke respektuar standardet e demokracive Euro-Atlantike.
Kongresi i Bashkimit Demokratik për Integrim i vlerëson Marrëveshjet e Ohrit, atë të Prespës si dhe për fqinjësi të mirë si të arritura të jashtëzakonta në funksion të integrimit konsensual dhe konstaton që nga këto marrëveshje kthim prapa nuk mund të ketë.