BE-ja aprovon 9 milion euro për ushtrinë e Maqedonisë së Veriut

Këshilli i BE-së i përgjigjet kërkesës së ministrisë së punëve të jashtme të Maqedonisë së Veriut për asistencë lidhur me pajisje për ushtrinë (ARMK), duke miratuar një masë ndihme në kuadër të fondit europian të paqes (EPF) me vlerë 9 milionë euro, njofton nga Brukseli korespodentja e Tv Klan, Erisa Zykaj.

Marketing

Kjo masë pritet të forcojë kapacitetet e forcave ushtarake, duke kontribuar veçanërisht në përmirësimin e pajisjeve të grupit të batalionit të lehtë të këmbësorisë.

Sipas Këshillit të BE-së, nëpërmjet sigurimit të pajisjeve të përshtatshme, masa e ndihmës së BE-së do të ndihmojë në rritjen e kapacitetit dhe përmirësimin e standardet operative të ushtrisë së Maedonisë së Veriut për të marrë pjesë në misionet ushtarake të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian.

Mbështetja e propozuar do të përfshijë logjistikën, pajisjet mjekësore, sistemet e komunikimit dhe informacionit, kapacitetet e inteligjencës, pajisjet kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore (CBRN), pajisjet inxhinierike dhe stërvitore.

Ky vendim është pjesë e përpjekjeve të Bashkimit Europian për të forcuar më tej angazhimin e saj të sigurisë me partnerët e saj të Ballkanit Perëndimor.

Kjo është paketa e parë dypalëshe për Maqedoninë e Veriut në kuadër të fondit europian të paqes dhe e dyta për vendin si pjesë e tasek forcës mjekësore ballkanike dhe e katërta paketë për rajonin, që synon forcimin e sigurisë dhe stabilitetit.