BE-ja mbështet Çekinë në tensionet diplomatike me Rusinë

Bashkimi Evropian ka shprehur mbështetje të plotë për Çekinë, pasi ky vend është përfshirë në tensione diplomatike me Rusinë.

Autoritetet çeke kanë thënë se agjentët rusë qëndrojnë pas shpërthimit në një depoje të armëve më 2014 në Çeki, ku kishin vdekur dy persona.

Marketing

“BE-ja është thellësisht e shqetësuar për përsëritjen e e sjelljes së rrezikshme malinje të Rusisë në Evropë”, tha Peter Stano, zëdhënësi kryesor i shefit të Politikës së Jashtme të bllokut, Josep Borrell.

“Këto aktivitete Rusia duhet t’i ndalë, pasi shkelin parimet dhe normat ndërkombëtare dhe kërcënojnë stabilitetin në Evropë”, tha ai.

Një ditë më parë, Rusia urdhëroi 20 punonjës të Ambasadës çeke në Moskë të largoheshin nga vendi.

Masa erdhi si përgjigje ndaj dëbimit të 18 diplomatëve rusë nga ana e Qeverisë çeke, të identifikuar si operativë të inteligjencës.

Të dyja palët dërguan avionë qeveritarë më 19 prill për të bartur diplomatët dhe familjet e tyre.

Kjo është mosmarrëveshja më e madhe e Çekisë me Rusinë që nga rënia e sundimit komunist më 1989.

Pse erdhi deri te kjo situatë?

Shpërthimi në një depo armësh në qytezën Vërbetice të Çekisë ndodhi më 16 tetor të vitit 2014.

Trupat e pajetë të dy punonjësve të depos, njëri 56 dhe tjetri 69 vjeç, u gjetën më shumë se një muaj më vonë.

Shpërthimi fillimisht supozohej se ishte aksident. Por, detektivët çekë, në fundjavë drejtuan gishtin kah Moska dhe Njësia 29155 e Agjencisë ruse të Inteligjencës GRU.

Policia çeke i identifikoi dy të dyshuarit në lidhje me shpërthimin si Alexander Mishkin dhe Anatoly Chepigov, të cilët po ashtu akuzohen për përfshirje në disa sulme me helm në Sallsbëri të Anglisë, më 2018.

Ish-agjenti rus, Sergei Skripal, dhe vajza e tij, Yulia, u mbijetuan sulmeve në Sallsbëri, ndërsa një grua lokale, Dawn Sturgess, humbi jetën disa muaj më vonë nga agjenti Noviçok, i dalë nga një shishe e hedhur parfumi.

Ueb-faqja hulumtuese, Bellingcat, i identifikoi të dyshuarit për sulmin në Sallsbëri si Anatoly Chepiga dhe Alexander Mishkin, të dy oficerë të GRU-së. Ata kishin përdorur emra të rremë: Ruslan Boshirov, përkatësisht Alexander Petrov.

Policia çeke tha se imazhet e të dyshuarve për shpërthimin në Çeki përputhen me imazhet e dy të akuzuarve nga Britania për helmimet në Sallsbëri.

Dy burrat rezervuan fjetje në qytetin Ostrava të Çekisë, pranë depos së municioneve, më 13 tetor, 2014. Ata rezervuan katër net.

Në njoftimin mbi rezultatet e hetimeve për shpërthimin, autoritetet çeke bën një ndërlidhje indirekte jo vetëm me luftën e Ukrainës me Rusinë, por edhe me helmimin misterioz, që gati e mbyti bullgarin, Emilian Gebrev, një tregtar armësh. Helmimi i tij ndodhi në Sofje të Bullgarisë.

Zyrtarët nuk folën publikisht për një ndërlidhje mes rastit të biznesmenit bullgar dhe shpërthimeve, por ishte transmetuesi publik – Radio Çeke – dhe revista e lajmeve Respekt, që në raportimet e tyre, cituan burime të paidentifikuara të thoshin se këto dy raste ishin të lidhura.

Më hapur për këtë çështje foli ministri i Brendshëm çek, njëherësh ministër i Jashtëm në detyrë, Jan Hamacek.

“Mund të konfirmoj se ka një bashkëpunim ndërkombëtar, përfshirë edhe Bullgarinë”, tha ai gjatë një interviste në televizionin CT24.

Në vitin 2014, Ukraina kishte kërkuar ndihmën e biznesmenit për furnizim me municione. Këtë e konfirmoi për Shërbimin e Ukrainës të Radios Evropa e Lirë, një ish-zyrtar i lartë ukrainas i sigurisë.

Çfarë thotë biznesmeni Gebrev?

Në një njoftim për shtyp, Gebrev mohoi që kompania e tij të ri-eksportonte municione nga Republika Çeke në Ukrainë më 2014. Megjithatë ai nuk e ka komentuar faktin nëse municioni dhe materialet tjera i përkisnin kompanisë së tij EMCO. Gebrev nuk iu përgjigj thirrjeve nga Shërbimi bullgar i Radios Evropa e Lirë për të shpjeguar rolin e tij në këtë situatë.

Një deklaratë nga komanpania EMCO, thuhet se kjo kompani “kurrë nuk eksportoi municion me origjinë nga Republika Çeke në Ukrainë” dhe se është e gatshme të bashkëpunojë në hetimet për këtë rast.

“Autoritetet hetimore çeke duhet të sqarojnë supozimet rreth motiveve dhe shkaqeve të shpërthimeve”, tha EMCO.

Ministri bullgar i Mbrojtjes në largim, Krasimir Karakachanov, ka konfirmuar për Shërbimin bullgar të Radios Evropa e Lirë se Gebrev tregtonte armë dhe municione të vjetra të cilat nuk përdoren më nga ana e ushtrisë./REL