BE-ja mbështet rimëkëmbjen e Palestinës me 1.6 miliard euro

Bashkimi Evropian planifikon të rrisë mbështetjen financiare për rimëkëmbjen e Palestinës dhe Autoritetit Palestinez (PA) në 1.6 miliard euro, njoftoi të hënën shefja e politikës së jashtme të bllokut, transmeton Anadolu.

“Ne po shtojmë mbështetjen tonë për popullin palestinez. 1.6 miliard euro deri në vitin 2027 do të ndihmojnë në stabilizimin e Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës”, tha kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas në X.

Ajo siguroi se BE-ja do të investojë në infrastrukturë, ndihmë humanitare dhe mbështetje për refugjatët. “Ne jemi një partner afatgjatë për Autoritetin Palestinez”, shtoi Kallas.

Autoriteti Palestinez menaxhon Bregun Perëndimor të pushtuar, me zyrtarë perëndimorë që sugjerojnë se duhet të marrë përgjegjësinë edhe për Rripin e Gazës pas luftës izraelite që ka marrë gati 51.000 jetë që nga tetori i vitit 2023.

BE-ja në një deklaratë tha se financimi është menduar për mbështetjen e shërbimeve për popullin palestinez, për rimëkëmbjen dhe stabilizimin e Bregut Perëndimor dhe Rripin e Gazës dhe për sektorin privat në Palestinë.

Blloku do të nisë gjithashtu një “Platformë të donatorëve për Palestinën” për Autoritetin Palestinez për të zbatuar axhendën e tij të reformave.

Marketing