BE-ja “nuk gënjehet” nga Serbia: Nuk i ka rinovuar targat KM!

Bashkimi Europian ka reaguar me shqetësim ndaj një rikthimi të retorikave të çështjes së targave mes Kosovës e Serbisë.

Marketing

Prishtina zyrtare ankohet se marrëveshja për targat nuk po implementohet siç duhet. Një ditë më parë, ministri i brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, deklaroi prerazi se nuk do të lejohet hyrja dhe qarkullimi i automjeteve me targa të paligjshme serbe KM, që janë riregjistruar nga dhjetori i vitit të kaluar e pas kësaj date.

Pas këtij vendimi, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç u hodh në kundërsulm, duke i akuzuar autoritetet kosovare se po përpiqen të krijojnë krizë dhe tensione të reja.

Mes drojes së një përflakjeje të re të situatës, përmes zëdhënësit Peter Stano, BE-ja i bëri thirrje të dyja palëve të përmbahen nga çdo veprim që mund të sjellë destabilizim të situatës që edhe kështu është mjaft e brishtë, dhe insistoi që çdo sqarim rreth interpretimeve të bëhet në kuadër të dialogut.

“BE-ja kërkon nga të gjitha palët që të respektojnë në tërësi dhe pa kushte marrëveshjet e arritura në 23 nëntor të vitit të kaluar, me të cilat edhe Kosova edhe Serbia u pajtuan për masat specifike rreth targave për të ulur tensionet dhe për t’u fokusuar në tërësi te propozimi i BE-së për të normalizuar raportet e tyre. Të gjithë duhet të përmbahen nga veprimet e njëanëshme”, tha zëdhëndësi i BE-së, Peter Stano.

Me marrëveshjen e nëntorit, Kosova u ka dhënë fund veprimeve të lidhura me riregjistrimin e makinave me targa serbe që qarkullojnë në Kosovë, ndërsa Serbia pranoi të mos lëshonte më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës, zotim ky të cilin duket se nuk po e mban.