BE-ja organizon konferencë të donatorëve për Turqinë dhe Sirinë

Bashkimi Evropian do të organizojë në mars një konferencë donatorësh për Turqinë dhe Sirinë.

Marketing

Konferenca, e cila do të mbahet në Bruksel, do të mobilizojë fonde nga bashkësia ndërkombëtare për të mbështetur popullin e Turqisë dhe Sirisë, pas tërmetit shkatërrues të 6 shkurtit.

Sipas njoftimit të BE-së, qëllimi i konferencës së nivelit të lartë, e cila do të jetë e hapur për vendet anëtare të BE-së, vendet fqinje, anëtarët e OKB-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe palët e tjera të interesuara, është që të koordinojë reagimin e donatorëve dhe të mbledhë fonde për të mbështetur rimëkëmbjen e këtyre dy vendeve.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryeministri suedez, Ulf Kristerson, vendi i të cilit kryeson unionin, u pajtuan për organizimin e kësaj konference.

Von der Leyen tha se janë të tronditur nga pasojat shkatërruese të tërmeteve që goditën Turqinë dhe Sirinë, dhe se prioritet tani për tani është shpëtimi i sa më shumë jetëve.

“Prandaj, menjëherë është aktivizuar mekanizmi i mbrojtjes civile të BE-së, i cili deri më tani ka dërguar 31 ekipe kërkim-shpëtimi dhe 5 ekipe mjekësore nga 23 vende anëtare”.

“Por, ne po u dërgojmë një mesazh qytetarëve të Turqisë dhe Sirisë: BE-ja do të mbështesë komunitetet tuaja, sepse askush nuk duhet të lihet vetëm në tragjedi si kjo”, tha Von der Leyen.

Kryeministri suedez tha se tërmeti në Turqi dhe Siri është një “katastrofë e paprecedentë”.

Dhjetëra shtete në mbarë botën kanë ofruar ndihmë emergjente humanitare, përfshirë dërgimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit dhe furnizime të tjera të ndihmës. /REL