BE ka administruar mbi 150 milionë doza të vaksinës COVID-19

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se në vendet e Bashkimit Evropian (BE) deri më tani janë administruar mbi 150 milionë doza të vaksinës së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

“Vaksinimi po arrin shpejtësi në të gjithë BE-në. sapo kemi kaluar 150 milionë vaksinime”, shkroi në twitter von der Leyen.

Shefja e Komisionit Evropian po ashtu shpjegoi se një e katërta e popullsisë së bllokut evropian prej 450 milionë banorësh tashmë kanë marrë dozën e parë të vaksinës COVID-19.

Marketing

“Ne do të kemi doza të mjaftueshme që deri në muajin korrik të vaksinojmë 70 për qind të të rriturve të BE-së”, shtoi von der Leyen, duke e përmirësuar vlerësimin e mëparshëm të Komisionit Evropian se imunitetin e tufës mund ta arrijë deri në fund të muajit shtator.

Të dhënat tregojnë se blloku evropian arriti të përshpejtojë fushatat e vaksinimit, pavarësisht pengesave fillestare për shkak të vonesave në dërgesat e vaksinës.

Për blerjen e rreth 2.6 miliardë dozave të vaksinës, BE-ja nënshkroi marrëveshje të hershme të blerjes me gjashtë prodhues të vaksinave, respektivisht me kompanitë farmaceutike Pfizer/BioNTech, Moderna, AstraZeneca, CureVac, Johnson & Johnson dhe Sanofi/GlaxoSmithKline.

Në muajin mars, Komisioni Evropian filloi negociatat me kompaninë farmaceutike Pfizer/BionTech për të blerë edhe 1.8 miliardë doza të tjera për vitin 2022 dhe 2023.



. .

Marketing