BE kërkon qartësime nga Polonia për skandalin e vizave Shengen

Komisioni Evropian kërkonte sot që Polonia të japë “qartësime” brenda dy javëve për akuzat se konsullata e vendit dhe kontraktuesit e saj kanë lëshuar viza Shengen në këmbim të rryshfetit, thanë zëdhënësit evropianë, në një vijim të tensioneve për disa çështje me vendin anëtar.

Marketing

Një zëdhënëse e KE tha sot se raportimet për skandalin janë ‘tepër shqetësuese’ dhe se komisionerja e punëve të brendshme të BE, Ylva Johansson i ka shkruar autoriteteve polake për “të kërkuar sqarime”.

Zyrtarët nuk dhanë më shumë sqarime për skandalin por zëdhënsja Anitta Hipper tha se shqetësimet kanë të bëjnë me shkelje të ligjit evropian.

Mediat polake thonin se sistemi i vizave për persona nga Lindja e Mesme e Afrika në këmbim të pagesës është vendosur me anë të konsullatave polake dhe disa kompanive të jashtme në vendet e përfshira.

Zhvillimi vjen pas njoftimit të javës së shkuar të inteligjencës polake që tha se shtatë persona janë arrestuar për shkelje me vizat, pak para zgjedhjeve të 15 tetorit ku partia kryesore në pushtet mbështetet në retorikën anti-emigracion.

Varshava reagoi duke i quajtur supozimet “absurde” sidomos kur KE e quajti çështjen “skandal të përhapur gjerësisht”, duke nënkuptuar se kemi të bëjmë me raste të izoluara abuzimi.

Akuzat u mbështetën dhe nga ministria e jashtme gjermane që thirri të dërguarin polak në Berlin për t’iu përgjigjur pyetjeve të Komisionit Evropian.