BE: Lënia e mandateve, joproduktive! Presim bisedime qeveri-opozitë

Komuniteti ndërkombëtar është duken ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në Shqipëri, posaçërisht vendimin e opozitës për djegien e mandateve.

Marketing

E pyetur për këtë zhvillim, zëdhënësja e BE-së, Maja Koçijançiç tha për Top Channel se, “Parlamenti është baza e çdo demokracie në Europë, është një vend ku debatohet për reformat dhe zhvillime të tjera, ku duhet diskutuar dhe çuar përpara, por jo të bojkotohen”.

Më tej, zëdhënësja e BE-së, duke u bërë më specifike për vendimin e opozitës, thotë: “Thirrjet e disa anëtarëve të opozitës për të bojkotuar Parlamentin dhe lënien e mandateve të tyre është diçka jo produktive dhe shkon kundër përpjekjeve të vendit dhe reformave drejt BE-së”.
“Ne presim nga qeveria dhe opozita të përfshihen në bisedime konstruktive, me qëllim tejkalimin e situatës aktuale politike”, ka theksuar ajo.

Top Channel i kërkoi një prononcim edhe raportuesit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, në lidhje me vendimin politik të Partisë Demokratike për djegien e mandateve.

Në përgjigjen e tij dërguar në rrugë elektronike, Fleckenstein thekson se “kjo nuk është hera e parë që ne përballemi me një situatë të tillë, me opozitën shqiptare që kërkon të heqë dorë nga detyra e saj në Kuvend”.

Për të vijuar më tej, Fleckenstein shkruan se asgjë nuk ka ndryshuar në këto 5 vite në lidhje me këtë taktikë.
Por, ai këmbëngul dhe thekson faktin që “është detyra e opozitës, brenda Parlamentit apo – nëse e sheh të arsyeshme – edhe jashtë Parlamentit, të ofrojë një alternativë politike për qeverisjen e vendit”.

Sa i përket dorëzimit të mandateve, politikani gjerman shprehet se “është në dorën e gjithsecilit prej deputetëve, për të vendosur nëse duan apo jo të heqin dorë nga mandati që u ka dhënë populli”.