BE me projekt 7 milionësh për të mbështetur vaksinimin e popullatave në Ballkan

Bashkimi Evropian, në partneritet me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ka nisur një projekt të ri rajonal me vlerë mbi 7 milionë euro për të mbështetur vaksinimin e sigurt dhe efektiv të popullatave në mbarë Ballkanin Perëndimor.

Marketing

Ky projekt do të ndihmojë për përgatitjen e rajonit për pritjen dhe administrimin efektiv të vaksinave COVID-19, përfshirë ato të marra nga COVAX dhe përmes mekanizmit të BE-së për ndarje të vaksinave me Shtetet Anëtare të BE-së, njofton Klan Kosova.

Sipas zyrës së BE-së në Kosovë, kjo do të ndihmojë edhe për përmirësimin e qëndrueshmërisë së rajonit ndaj emergjencave shëndetësore, si dhe do ta mbështesë rajonin në lëvizjen drejt financimit të qëndrueshëm për kujdesin shëndetësor universal.

“Aktivitetet do të përfshijnë, ndër të tjera, zhvillimin dhe testimin e planeve të gatishmërisë emergjente, trajnimin për profesionistë shëndetësorë dhe zhvillimin e sistemeve të menaxhimit të informacionit për vaksinat”.

Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e plotë:

Bruksel, 19 shkurt 2021

Bashkimi Evropian, në partneritet me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ka nisur një projekt të ri rajonal me vlerë mbi 7 milionë euro për të mbështetur vaksinimin e sigurt dhe efektiv të popullatave në mbarë Ballkanin Perëndimor.

Ky projekt do të ndihmojë për përgatitjen e rajonit për pritjen dhe administrimin efektiv të vaksinave COVID-19, përfshirë ato të marra nga COVAX dhe përmes mekanizmit të BE-së për ndarje të vaksinave me Shtetet Anëtare të BE-së. Kjo do të ndihmojë edhe për përmirësimin e qëndrueshmërisë së rajonit ndaj emergjencave shëndetësore, si dhe do ta mbështesë rajonin në lëvizjen drejt financimit të qëndrueshëm për kujdesin shëndetësor universal. Aktivitetet do të përfshijnë, ndër të tjera, zhvillimin dhe testimin e planeve të gatishmërisë emergjente, trajnimin për profesionistë shëndetësorë dhe zhvillimin e sistemeve të menaxhimit të informacionit për vaksinat.

Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi, komentoi: “Me këtë projekt të ri që në partneritet me OBSH-në mbështet fushatat e vaksinimit në Ballkanin Perëndimor, BE-ja vazhdon ta përmbushë zotimin e saj për t’i mbështetur partnerët tanë për trajtimin e pandemisë që nga fillimi i saj. Projekti i shtohet paketës sonë prej 70 milionë eurosh për të mbështetur qasjen në vaksina për rajonin dhe për të siguruar pajisjet e nevojshme për fushatat.”

Informata shtesë

Projekti i ri rajonal përfundon lansimin e një serie veprimesh rajonale me përfitime për rajonin e Ballkanit Perëndimor, me vlerë të përgjithshme prej mbi 25 milionë eurosh të financuara nga Instrumenti i Bashkimit Evropian për Para Anëtarësimin (IPA). Këto veprime janë dizajnuar për adresimin e çështjeve shëndetësore të lidhura me COVID-19 dhe për të ndihmuar popullatat e cenueshme në Ballkanin Perëndimor që të përballen me pandeminë.

Gjithashtu, paketa prej 25 milionë eurosh i ka lejuar Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) të forcojë bashkëpunimin e vet me Ballkanin Perëndimor. Mbështetja i ka mundësuar ECDC-së të kryejë një “test stresi” të të gjitha strategjive të vaksinave të Ballkanit Perëndimor, nga i cili u nxorrën disa mësime të rëndësishme për zbatimin e strategjive. Puna e ardhshme do të jetë në veçanti në fushën e mbikëqyrjes së SARI (infeksione të rënda akute respiratore).

Paketa përfshin edhe pesë projekte të mëtejshme me Këshillin e Evropës, UNWOMEN, UNICEF, UNDP dhe Kryqin e Kuq përkatësisht, të cilët janë nënshkruar kohët e fundit dhe mbështesin grupe të cenueshme të prekura nga pandemia në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, veçanërisht romët, gratë – në veçanti viktima të dhunës, fëmijë, të kthyer dhe të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuara.

Për të siguruar qasje të hershme në vaksina dhe duke u mbështetur në përvojën e Strategjisë së Vaksinimit të BE-së, Komisioni Evropian po krijon një mekanizëm të BE-së për të lehtësuar ndarjen e dozave të shteteve anëtare të siguruara nga BE-ja, përfshirë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor. 70 milionë euro janë ndarë për ta mbështetur këtë.

Paketa totale e ndihmës së BE për Ballkanin Perëndimor për reagimin ndaj COVID-19 aktualisht i tejkalon 3.3 miliardë euro, siç tregohet në Komunikatën e Komisionit për mbështetjen ndaj Ballkanit Perëndimor për përballjen me COVID-19 dhe rimëkëmbjen pas pandemisë. Kjo përfshin mbështetjen e menjëhershme me pajisje, mbështetjen afatmesme dhe afatgjatë për sistemet shëndetësore dhe ekonomitë, mbështetjen për bizneset përmes bankave lokale, ndihmën makro-financiare në formën e kredive, dhe një paketë reagimi të Bankës Evropiane të Investimeve (BEI). Përveç kësaj mbështetjeje financiare, BE-ja ka mundësuar gjithashtu që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në Marrëveshjen e BE-së për Blerje të Përbashkëta për të blerë kundër-masa mjekësore, si dhe të marrin pjesë si vëzhgues në Komitetin e Sigurimit Shëndetësor të BE-së.

BE-ja pothuajse e ka përfunduar dorëzimin e ndihmës së menjëhershme emergjente, me më shumë se 11.3 milion copë pajisje mbrojtëse, 350 ventilatorë, 300 shtretër për NJKI dhe 180 monitorë, 108 kontejnerë për triazhim të pacientit, 150 pajisje të mëdha mjekësore (pajisje EKG, ekografi, grafi, ultrazëri), 15 ambulanca dhe 30,000 pajisje më të vogla mjekësore (termometra, kateterë, shiringa, pompa infuzioni, defibrilatorë, etj.). Mbështetja emergjentë siguroi edhe 82,000 teste për COVID, material për kalibrim, pastaj edhe 580,000 teste dhe 25,000 litra dezinfektues. Kjo mbështetje plotësohet nga pajisjet mbrojtëse dhe artikujt për grupet e cenueshme të dorëzuara përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së.

Për më tepër, BE-ja është një nga mbështetësit më të fortë të COVAX-it, i cili mbetet instrumenti më i mirë për të siguruar qasje të drejtë dhe të barabartë në këto vaksina dhe për ta jetësuar solidaritetin ndërkombëtar për vaksinat. Ekipi Evropë (Team Europe) ka kontribuar më shumë se 850 milionë euro për COVAX-in, duke përfshirë 500 milionë euro nga buxheti i BE-së. Ky do të jetë një kontribut kyç për COVAX-in për të siguruar 1.3 miliardë doza të vaksinave për 92 vende me të hyra të ulëta dhe të mesme deri në fund të vitit 2021.