BE mirëpret vendimin e Serbisë për targat RKS

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, e ka mirëpritur vendimin e Serbisë për t’i njohur targat e automjeteve RKS të lëshuara nga Kosova.

Marketing

Stano në një përgjigje për Klankosova.tv ka thënë se ky është një hap pozitiv në zbatimin e marrëveshjes për rrugën e normalizimit, teksa shtoi se pret nga Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme.

“Ne mirëpresim vendimin e Serbisë për të njohur zyrtarisht targat e automjeteve RKS të lëshuara nga Kosova. Ky vendim është një hap pozitiv në zbatimin e marrëveshjes për rrugën e normalizimit, si dhe në angazhimet e kaluara të dialogut lidhur me lirinë e lëvizjes”, ka thënë Stano për Klankosova.tv.

Ai potencoi se nga ky hap i Serbisë mund të përfitojnë të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

“Kjo tregon se është e mundur të arrihet progres në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ajo përbën gjithashtu një hap në drejtimin e duhur drejt një integrimi më të mirë rajonal dhe evropian të Ballkanit Perëndimor, nga i cili në fund përfitojnë qytetarët e rajonit. Ky vendim i hap rrugën heqjes së plotë të regjimit të afisheve. BE-ja tani pret që Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme”, ka thënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano. /

Marketing