Bashkimi Evropian (BE) shprehu keqardhjen që presidenti i ri i RMV-së, Gordana Siljanovska-Davkova, në ceremoninë e sotme ku dha betimin nuk e përdori emrin kushtetues të shtetit, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
“BE-ja na kujton rëndësinë e respektimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese, ligjërisht të detyrueshme, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë”, tha Stano.
Siljanovska-Davkova sot dha betimin solemn në Kuvend dhe më pas filloi mandatin e saj si presidente e vendit pas fitores në zgjedhjet presidenciale të 8 majit.
Gjatë dhënies së betimit, duke përsëritur pas kryetarit të Kuvendit, Jovan Mitreski, i cili përdori emrin kushtetues Republika e Maqedonisë së Veriut, Siljanovska-Davkova përdori vetëm Maqedoninë.