BE negocion kontrata për furnizimin e vaksinës me pesë prodhues

Bashkimi Evropian po negocion kontratat për furnizim me vaksinën antiCovid-19 me pesë prodhues, dhe ato janë Moderna, Sanofi, Johnson & Johnson, dhe kompanitë e bioteknologjisë Bionteh dhe Kurevak, transmetojnë mediat kroate.

Marketing

Bëhet fjalë për blerjen e përbashkët të paralajmëruar tashmë të vaksinave dhe ilaçeve, por tani me të dhëna specifike.

Përpjekja për një marrëveshje me prodhuesit e vaksinave bazohet në një marrëveshje të mëparshme të arritur nga katër anëtarë të BE-së me Astrazeneca për 400 milionë doza të vaksinës, të cilat kompania po zhvillon me Universitetin e Oksfordit, dhe që do të ishin në dispozicion për 27 anëtaret e BE-së.

Blerja e 200 milionë dozave është duke u negociuar me kompaninë amerikane Johnson & Johnson, dhe nuk përjashtohet mundësia që kjo sasi të rritet.

BE po negocion edhe me kompaninë franceze Sanofi, e cila po zhvillon vaksinën në bashkëpunim me GlaxoSmithKline nga Britania, për blerjen e 300 milionë dozave, të cilat do të arrinin në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.

Sanofi konfirmoi se negociatat për blerjen e vaksinave nga BE janë në një fazë të përparuar.

Kompania Moderna konfirmoi se është në negociata me vendet evropiane për shitjen e vaksinës, por që ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje.

Dy kompani gjermane të bioteknologjisë, Biontech dhe Curevac, janë gjithashtu në lojë, por asnjëra prej tyre nuk dëshiroi të komentojë negociatat.

Blerja e vaksinës drejtohet nga një bord i emëruar nga Komisioni Evropian.