Komisioni i Bashkimit Evropian (BE) deklaroi se nëse certifikata e vaksinës, e cila pritet të lëshohet për t’u përdorur në udhëtime këtë verë, përdoret nga vendet anëtare për qëllime të tjera, rregulloret e brendshme ligjore duhet t’i përshtaten këtij vendimi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Anëtari i Komisionit të BE-së, Didier Reynders dha informacione në Komisionin e Lirive Civile, Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme të Parlamentit Evropian për certifikatën e vaksinimit.
Duke deklaruar se certifikata ka për qëllim të lehtësojë udhëtimet brenda BE-së përpara kësaj vere, Reynders tha se baza ligjore e përgatitur nga BE do të lejojë dokumentin “vetëm për udhëtime”.
Reynders theksoi që në mënyrë që dokumenti digjital të përdoret në aktivitete kulturore, gara sportive ose ngjarje të tjera, vendet anëtare duhet të përshtatin ligjet e tyre.
Didier Reynders, duke informuar në lidhje me përdorimin e certifikatës së vaksinës në transportin ajror, deklaroi se kompanitë ajrore mund të kontrollojnë certifikatat e pasagjerëve.
Certifikata, e cila do të jetë e vlefshme për udhëtimet brenda kufijve të BE-së, është planifikuar të jetë gati deri në verë. Nëse është marrë vaksina COVID-19, do të gjenden informacionet përkatëse, rezultatet e testit PCR ose antigjen dhe një dokument në lidhje me nivelin e antitrupave të atyre që kanë pasur sëmundjen.
Vaksinat e aprovuara do të pranohen në BE, por vendet e BE-së do të vendosin vetë nëse do të pranojnë vaksina të tjera. Në të ardhmen, vaksinat e aprovuara në BE do të duhet të përdoren për të njohur certifikatën e vaksinës të një vendi tjetër, por vendet e BE-së do të jenë përsëri në gjendje të vendosin se cilat vaksina do të njihen.