Bejta nënshkroi për Pendarovskin: Kandidati tjetër nuk i respekton ndryshimet e fundit pozitive në Maqedoninë e Veriut

Të enjten në mesditë kryesia e degës dhe Kryetarët e Këshillave Vendore të Bashkimit Demokratik për Integrim – BDI në Gostivar, në mënyrë të organizuar u paraqitën në Njësinë Rajonale të Komisionit Komunal Zgjedhor – KKZ, për të nënshkruar në përkrahje të kandidatit të përbashkët për President nga shumica qeveritare, z. Stevo Pendarovski.

Marketing

Pas aktit të nënshkrimit, Kryetari i degës dhe njëherit nënkryetar i BDI-së, z. Nevzat Bejta, deklaroi që tashmë në Maqedoninë e Veriut ka filluar një histori e re pas zgjedhjes së Kryetarit të Parlamentit nga radhët e shoqërisë shqiptare, si dhe ndryshimeve kushtetuese që mundësuan inkorporimin e Marrëveshjes së Ohrit – MO në Preambulë, si dhe ndryshimin e emrit të shtetit e që hap dyert e Maqedonisë së Veriut drejt strukturave euro-atlantike.

“Jemi në një faqe të re të historisë së Maqedonisë së Veriut. Ne nuk mund të mbështesim një kandidat që nuk pranon ndryshimet kushtetuese, emrin e ri të shtetit dhe Kryetarin e Parlamentit. Ju e dini që
Zgjodhëm Kryetar të Parlamentit bashkëvendasin tonë, z. Talat Xhaferi. Me miratimin e ligjit për gjuhën Shqipe, Parlamenti dhe Qeveria flasin edhe Shqip.

Me zgjedhjen e kandidatit të përbashkët për President, z. Stevo Pendarovski, edhe në Presidencë do të instalohet fryma e re, pasi kandidati i përbashkët ka pranuar ndryshimet pozitive dhe punon për një shtet dhe shoqëri demokratike dhe të barabartë për të gjithë. Kandidati për President i shumicës qeveritare ka orientim të qartë pro-perëndimor” deklaroi Bejta.

Të mërkurën, kryesia e degës zgjodhi për Kryetar të Shtabit Zgjedhor në Gostivar, nënkryetarin z. Bashkim Hasani.