Bejta nga Llakavica: Integrimi në NATO dhe BE, mbi të gjitha u shërben shqiptarëve

Të premten, karvani i degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Gostvar, për zgjedhjet presidenciale të 21 Prillit vijoi në takim me banorët e Llakavicës.
Si në takimet e tjera me qytetarët e Gostivarit, nënkryetari i BDI-së njëherit edhe Kryetar dege, z. Nevzat Bejta, foli mbi rëndësinë e zgjedhjeve presidenciale për shoqërinë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Marketing

Bejta, me këtë rast vuri në dukje që kandidati shqiptar nuk mund të fiton zgjedhjet për shkak të realitetit ekzistues të trupit votues, për këtë shkak, vota për kandidatin shqiptar nuk zë vend, dhe për pasojë mund të parandalon fitoren e kandidatit pro-perëndimor që në rrethin e parë.

“Në media doli lajmi për votat e kandidatëve shqiptarë për President. U pa që më shumë vota ka marrë i ndjeri, Muharem Nexhipi. Mbi 155 mijë vota. Të tjerët kanë marrë më pak vota se i ndjeri. Është dëshmuar në çdo cikël zgjedhore për President të shtetit që kandidati shqiptar nuk mund të kalon në rrethin e dytë, e jo më të zgjidhet. Këtë gjë e dinë edhe fëmiju i xhepit. Parashtrohet pyetja që për çka të garohet kur e dijnë që nuk fiton. Ose dikush të eksperimenton me votat e shqiptarëve për të mbijetuar politikisht”, tha Bejta.

Sipas tij, Pendarovski edhe më herët ka qenë kandidat për President, por nuk ka pasur këtë qasje siç ka tani për shqiptarët, për atë edhe nuk ka mundur të fiton.

“Pendarovski në çdo vend publikisht flet për barabarësi të qytetarëve të vendit pa dallime nacionale dhe fetare. Me presidentin e ri do të nënshkruhen ligjet që i bllokoi presidenti aktual dhe në qershor besojmë në hapjen e bisedimeve për integrim të vendit në BE. Nuk duhet të lejojmë të na dalin pengesa”, tha Bejta, duke shtuar që ndryshimet e fundit në RMV japin shpresë për integrimin e shpejt të vendit në NATO dhe BE.

Bejta shtoi që, integrimi në NATO dhe BE, mbi të gjitha u shërben shqiptarëve, nga fakti që me integrimin e vendit në këto organizma ndërkombëtare rritet siguria, shtohen investimet nga jashtë dhe kemi rritje të standardit financiar dhe jetësor.

“Shqiptarëve u ka munguar siguria. Shqiptarët kanë qenë të ndjekur dhe malltretuar vazhdimisht. Tani kemi një histori të re që u bë e mundur me mbështetjen e ndërkombëtarëve, dhe me veprimet tona nuk guxojmë të jemi në kundërshtim me këto parime”, përfundoi Bejta.