



Në konventën promovuese të mbajtur në Gostivar, kandidati për Kryetar komune nga radhët e BDI, z. Nevzat Bejta foli mbi motivin e bashkëpunimit me Iniciativën qytetare Gostivari që dua.
“Gostivarin që dua – kjo e bashkon BDI-në dhe mua me aktivistët e iniciativës qytetare. Për ta bërë komunën një vend më të mirë për të jetuar, ky është qëllimi i vetëm dhe detyra e vetme e politikës lokale. Ky ka qenë gjithmonë besimi im kur kam qenë kryetar komune, dhe do të jetë besimi im kur do të zgjidhem sërish kryetar i komunës: t’u shërbej qytetarëve dhe qytetit me punë të palodhur, me përkushtim të plotë. Për mua, Gostivari nuk është një ngritje në karrierën time, për mua Gostivari është dashuria ime”, deklaroi Bejta.
Dhe kjo, tha Bejta, është ajo që kam të përbashkët me ju, miqtë e mi të dashur.
“Unë nuk mund të qëndroj anash, përderisa qyteti ynë ku kemi lindur është duke u shkatruar, ndërsa të gjitha problemet tona mbeten të pazgjidhura. Katër vite më parë dëgjuam fjalë të mëdha: për çlirimin e qytetit nga qentë endacak, për zgjidhjen e çështjes së Rusinos, për largimin e kazinove nga qendra e qytetit, për azhurnimin e infrastrukturës sonë dhe zgjidhjen e kaosit të trafikut. Dhe çfarë shohim sot, katër vite më vonë? Të gjitha problemet mbetën të pazgjidhura, madje ato u përkeqësuan edhe më shumë. Nuk është bërë asgjë, përveç kozmetikës. Dhe ne shohim një kryetar komune, i cili është lodhur nga Gostivari, qëllimi i vetëm i të cilit është të pasojë kryetarin e partisë së tij dhe të bëhet diçka në nivel kombëtar. Unë besoj që Gostivari meriton më shumë, Gostivari meriton më mirë. Gostivari meriton një kryetar komune që punon pa u lodhur, me një ekip të ri dhe të përkushtuar”, vijoi Bejta.
Jam krenar dhe mirënjohës, shtoi ai, që kandidoj në këto zgjedhje së bashku me ju antarë të iniciativës qytetare Gostivari që dua, për të bashkuar forcat e përvojës sime dhe strukturën e BDI-së me qytetarët e motivuar dhe idetë e tyre të freskëta.
“Shtatë nga dhjetë të parët dhe 50 përqind nga totali i listës sonë për këshillin komunal vijnë nga iniciativa qytetare, të cilët nuk kanë qenë kurrë më parë në politikë. Ata janë anëtarë të respektuar të shoqërisë, aktivistë të OJQ -ve, fytyra të reja dhe të freskëta – dhe 50 përqind janë femra. Unë ju falënderoj nga zemra, që zgjodhët BDI-në si partnerin tuaj për ta bërë Gostivarin qytetin që duam, Gostivarin që të gjithë e meritoni. Së bashku do ta bëjmë përsëri qytetin tonë të pastër, do të zbatojmë planin tuaj të veprimit për të çliruar Gostivarin nga qentë endacakë dhe së bashku me qeverinë qendrore do ta zgjidhim çështjen me Rusinon dhe do ta kthejmë nga një kërcënim për shëndetin tonë në një deponi të menaxhuar mirë dhe të sigurt të standardeve më të larta ekologjike, që do të sjell të ardhura shtesë për komunën tonë. Me ligjin e ri për kazinot, të cilin BDI-ja e miratoi në qeveri dhe që së shpejti do të votohet në parlament, ne do t’i largojmë kazinotë nga qendra e qytetit”, u shpreh Bejta.
Ne, tha Bejta, do të ndërtojmë një Gostivar të pastër dhe modern, një qytet të gjelbër, me infrastrukturë funksionale, administratë profesionale dhe të palodhur dhe shumë projekte: nga një stadium shumë-funksional deri te një urë e re e cila do të lidhë qytetin tonë edhe më shumë dhe do të zgjidhë kaosin e trafikut së bashku me projektet tjera.
“Me koalicionin tonë për një Gostivar më të mirë, ne u japim qytetarëve një alternativë të vërtetë, zgjidhjen e vërtetë, ne japim një shpresë të re për Gostivarin. BDI së bashku me qytetarët – ky është ekipi i ri për Gostivarin. Dhe ky do të jetë parimi ynë i parë pas zgjedhjeve: të punojmë për dhe me qytetarët. Zyra ime do të jetë një zyrë e hapur, ku çdo qytetar do të dëgjohet dhe dora ime do të jetë e shtrirë për ndihmë. Ne do të përfshijmë qytetarët e Gostivarit në të gjitha vendimet e rëndësishme duke mbajtur referendume dhe do të raportojmë në mënyrë transparente për ecurinë e punës sonë çdo 100 ditë”, shtoi ai.
Së bashku me qytetarët, së bashku me shoqërinë civile, tha Bejta, ne do të ndërtojmë Gostivarin e së ardhmes, një komunë e gjelbër dhe moderne, me standardet më të larta të jetesës për të gjithë banorët.




“Në qytet dhe në fshatra. Për shqiptarët, për maqedonasit, për turqit, për romët dhe për boshnjakët. Sepse së bashku jemi më të fortë, së bashku ne jemi Gostivari! Sot dhe në javët e ardhshme, ne do të prezantojmë planin tonë, do të flasim dhe dëgjojmë qytetarët dhe i ftojmë të gjithë ata që duan një Gostivar më të mire, të bashkohen me koalicionin tonë për të na dhënë ide, për të na mbështetur në fushatën tonë dhe për të votuar për ne në ditën e zgjedhjeve. Së bashku do të fitojmë – jo për ne, por për të mirën e Gostivarit tonë. Zgjidh jetë. Voto blertë”, përfundoi fjalimin e tij, kandidati për Kryetar komune nga radhët e BDI, z. Nevzat Bejta.