Bekim Qoku do të jetë koordinatori i ri i grupit parlamentar të koalicionit VLEN, grup ky i cili do të jetë i përbërë nga nëntë deputetë. Informacionin për Alsat e konfirmoi vet deputeti Qoku. Megjithatë, zyrtarisht ky informacion nuk është dërguar ende në Kuvend.
“Deri në këtë moment nuk ka arritur asnjë shkresë sa i përket rishpërndarjes së deputetëve në grupe parlamentare. Procedura sa i përket grupeve parlamentare në Kuvend është e rregulluar me rregullore”, thonë nga Kuvendi.
Koordinatori aktual i koalicionit VLEN, Halil Snopçe, i cili vjen nga ASH-ja e Taravarit, thotë se nëse ky informacion është i vërtetë, atëherë ata do të jenë të detyruar të formojnë grup të ri parlamentar me pesë deputetët e tyre. Nëse ndodhë kjo dhe nëse ASH-ja largohet nga Qeveria, atëherë kjo do të imponojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse siç tha, nuk mund të ketë Qeveri me vetëm nëntë deputetë shqiptarë.
“Unë s’kam informacion të tillë. Unë ende jam koordinator i grupit parlamentar të VLEN. Por në qoftë se është e vërtetë ajo që thoni ju, pra në qoftë se i drejtohen Kuvendit me nëntë nënshkrime të nëntë deputetëve të tjerë që kanë bërë grup tjetër parlamentar, nënkuptohet që Aleanca për Shqiptarët nuk ka opsion tjetër dhe do të vazhdojë si grup i veçantë parlamentar me pesë deputetë”, tha Halil Snopçe – ASH/VLEN.
Vendimi për formimin e një grupi të ri parlamentar nga ana e VLEN vjen pas mbledhjes së mbrëmshme ku u vendos që VLEN të funksionojë si një subjekt i vetëm dhe me kryesi të përbashkët./ Alsat.mk