Bekteshi – Balluku: Projektet e energjisë dhe infrastrukturës mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë janë të një rëndësie të madhe rajonale

Realizimi i përbashkët i lidhjes infrastrukturore me Korridorin 8 dhe përballja me krizën energjetike ishin temat kryesore të takimit të sotëm mes ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Belinda Balluku.
Dy ministrat në takim theksuan se edhe në të ardhmen Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të vazhdojnë të bashkëpunojnë për realizimin e projekteve që do të jenë në interes të qytetarëve të të dyja vendeve.
“Si dy shtete fqinje do të vazhdojmë të marrim masa për përballimin e krizës energjetike, por edhe realizimin e projekteve për lidhjen tonë si në aspektin energjetik ashtu edhe në atë infrastrukturor. Dëshmi e synimeve dhe përpjekjeve tona është se të dyja qeveritë po punojnë shumë për të realizuar angazhimet strategjike për një lidhje më të madhe rajonale”, tha ministri Bekteshi pas takimit me Ballukun.
Dy ministrat në pjesën e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, diskutuan edhe për projektin e Interkonektorit përmes ndërtimit të interkonektorit 400 kV Manastir (MK) – Elbasan (AL) që është pjesa e fundit e realizimit të Korridorit 8 (Lindje – Perëndim) për transmetimin e energjisë elektrike ndërmjet Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Italisë. Një projekt që ka një rëndësi të madhe rajonale.
Në fund të takimit, të dy ministrat ranë dakord se në të ardhmen përmes bashkëpunimit të përbashkët do të vazhdojnë të punojnë në realizimin e projekteve të përbashkëta që do të kontribuojnë në rritjen dhe zhvillimin e të dy vendeve.

Marketing