Bekteshi: Çmimet e garantuara deri në fund të vitit

Masa për garantimin e çmimeve të produkteve bazë do të vazhdohet deri në fund të vitit, informon ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Ai vlerëson se deri atëherë do të miratohen edhe ndryshimet ligjore ku konsumatorët do të mbrohen nga keqpërdorimet e mundshme gjatë uljes se çmimeve të produkteve.

Marketing

Ky vendim, sipas ministrit të Ekonomisë vjen pas konsultimeve të bëra me Odat Ekonomike dhe tregtarët me pakicë dhe shumicë.

“Ministria e Ekonomisë sot i propozoi Qeverisë ku u miratuan edhe dy vendime shumë të rëndësishme që të vazhdohet afati i masës për përcaktimin e çmimeve të produkteve bazë dhe në vend të 30 nëntorit të jetë deri në fund të vitit. Në këtë mënyrë konsiderojmë që të gjithë konsumatorët në RMV do të kenë mundësinë që të blejnë produkte më të lira deri në fund të vitit dhe paralelisht me këtë vendim edhe ligji për tregti do të pasojë ndryshime, ku deri në fund të vitit me yll evropian duhet të miratohet në Kuvendin e RMV-së.”, – deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Vendim tjetër i miratuar nga ana e Qeverisë është edhe shfuqizimi i shitjeve me promocion ku tani tregtarët në mënyrë të lirë mund të kenë edhe shitje të tilla.

“Kemi shfuqizuar vendimin në pjesën e promocioneve duke e pasur parasysh se disa tregtarë me pakicë e kanë interpretuar vendimin e kaluar si pamundësi për shitjen e produkteve me aksion apo promocion që do të thotë se tani edhe prodhuesit edhe furnizuesit do të mund të organizojnë promocione të tilla, me qëllim që t’i ulin çmimet për konsumatorët.”, – theksoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Sipas vendimit të fundit të Qeverisë, të gjitha produktet ushqimore me çmim të garantuar shiten me çmim më të ulët për 10 % bazuar në çmimet e një gushtit.