Bekteshi: Gaz natyror për të gjitha komunat

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi sot mori pjesë në panel diskutimin me temë: Politika Energjetike në Republikën e Maqedonisë – rruga përpara, në kuadër të Forumit Energjetik të Maqedonisë 2018, i cili u mbajt në Strugë, nën mbështetjen e SHA Elektranat e Maqedonisë, Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Ambasadës Amerikane në RM dhe Institutit ZIP.

Marketing

“Sipas asaj që kemi realizuar në muajt e fundit,mund të them se po punojmë me seriozitet në krijimin e një alternative solide për të ardhmen. Kemi bërë disa hapa të mëdha përpara në drejtim të krijimit të një kornize ligjore që do të sigurojë bazën për një të ardhme të sigurtë energjetike, si nacionale ashtu edhe rajonale, me shumë projekte të përbashkëta të mbështetura nga komuniteti ndërkombëtar. Hapin e parë në përcaktimin e politikës energjetike të Republikës së Maqedonisë tashmë e kemi realizuar, pra Parlamenti miratoi Ligjin e ri për energjetikë. Me të përcaktohen objektivat kryesore të politikës energjetike – ku përkundër sigurisë së furnizimit me energji, promovimin e energjisë së ripërtritshme, efikasitetin energjetik dhe zhvillimin e qëndrueshëm – përfshihet edhe integrimi i tregut energjetik i Republikën e Maqedonisë në tregjet energjetike rajonale dhe ndërkombëtare , “deklaroi me këtë rast ministri Bekteshi i cili dhe bëri hapjen e panel diskutimit nr 5.

Në pyetjen se deri ku është Maqedonia sa i përket strategjisë së re energjetike, ministri Bekteshi tha se: “Për realizimin e objektivave të përmendura të politikës energjetike, kemi iniciuar aktivitete për përgatitjen e një strategjie të re për zhvillimin energjetik që do të miratohet brenda 5 vitesh dhe do ti referohet një periudhe prej 20 vjetësh. Me këtë dokument do të përcaktojmë prioritetet për zhvillimin afatgjatë të sektorit energjetik, krahasuar me zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, i cili do të bazohet në furnizim të sigurtë, të besueshëm dhe cilësor me të gjitha llojet e energjisë duke arritur dhe zhvillim të qëndrueshëm energjetikë, përmes përmbushjes së objektivave për rritje të investimeve në impiantet energjetike të prodhimit që përdorin burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe rritjen e kursimeve të arritura duke zbatuar masat e efikasitetit energjetik. Përveç kësaj, deri në fund të vitit, ne do të përgatisim një Ligj të ri për Efikasitet energjetik “.

Ai sqaroi se varshmëria e importit të energjisë në Republikën e Maqedonisë do të reduktohet vetëm përmes ndërtimit të objekteve të reja për prodhimin dhe transferimin e energjisë që justifikohen ekonomikisht dhe financiarisht, duke përmendur edhe risitë në lidhje me aplikimin e premive si masë e re për mbështetje, të cilën Ministria e Ekonomisë do të fillojë ta realizojë pas miratimit të akteve të neojshme nënligjore.

“Krijimi i një infrastrukture moderne është kusht i domosdoshëm për garantimin e sigurisë në furnizimin me energji, dhe në këtë drejtim janë ndërmarrë aktivitete intensive për ndërtimin e objekteve për prodhimin dhe transmetimin e energjisë elektrike, si dhe në pjesën e sektorit të gazit natyror. Interesi për gazifikim është i madh, prandaj ne jemi duke punuar për të siguruar gaz natyror për çdo komunë, “theksoi ai.

Në pyetjen rreth implementimit të ligjit të ri për energjetikë i cili parasheh transpozimin e Pakos së tretë Energjetike nga BE, Bekteshi sqaroi se me ligjin e ri, Republika e Maqedonisë është e obliguar të transpozojë disa direktiva dhe rregullativa në legjislacionin nacional në fushën e sigurisë së furnizimit me energji elektrike dhe gazit natyrorë, qasje në rrjetet për shkëmbime ndërkufitare të energjisë elektrike dhe gazit natyror,burimeve ripërtritëse të energjisë së rinovueshme dhe në këtë mënyrë qytetarët do mund të kenë në dispozicion më shumë energji të pastër, të sigurtë dhe mjaftueshëm për të gjithë.

Përkrah ministrit Bekteshi, panelistë në temën “Politika e Energjisë në Republikën e Maqedonisë – rruga përpara” ishin edhe Drejtori i përgjithshëm i SHA ELEM Dragan Minovski, pronari i “Mega Solar” Sllave Ivanovski dhe profesori në Fakultetin e inxhinjerisë mekanike Atanasko Tuneski.

Motoja kryesore e Forumit energjetik të Maqedonisë 2018 për këtë vit është “Zgjidhjet në Energjetikë sot – Alternativa për të Ardhmen”, ndërsa në takimin dy-ditor morën pjesë edhe Zëvendëskryeministri Angjushev, Ambasadori i SHBA Bailey, përfaqësues të ASHAM-it dhe mysafirë nga ministritë përkatëse të Energjisë, si dhe nga kompanitë e energjisë në vend dhe rajon.

Marketing