Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi mori pjesë në video-konferencën Ndërkombëtare mbi burimet minerale që u zhvillua sot në Beograd, Serbi. Ministri në fjalimin e tij në panelin mbi “Perspektivat dhe sfidat e sektorit të minierave gjatë KOVID 19-
përvojat nga rajoni”, tha se Maqedonia e Veriut në krahasim me madhësinë e saj gjeografike ka një pasuri të madhe dhe të paçmuar të burimeve minerale. Prandaj, për ne është veçanërisht e rëndësishme të zhvillojmë këtë degë në mënyrë që të sigurojmë rritje ekonomike për vendin, por gjithashtu të ketë një ndikim perspektiv në secilin segment të shoqërisë.
Ministri sqaroi masat e ndërmarra nga Qeveria për mbështetje të sektorit të minierave gjatë krizës shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuar nga pandemia.
“Gjatë krizës shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuar nga virusi KOVID-19, Qeveria miratoi Dekret që siguroi mundësi për të shtyrë zbatimin e disa dispozitave të Ligjit për burimet minerale gjatë gjendjes së jashtëzakonshme të shkaktuar nga epidemia, në mënyrë që të krijohen kushte për vazhdimin e pandërprerë të punës pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme pa pasur më parë implikime koncesionare për koncesionet e dhëna për shkak të pamundësisë për të përmbushur detyrimet specifike sipas Ligjit për Burimet Minerale, u shpreh kështu Ministri Bekteshi në fjalimin e tij.
Sipas Ministrit, megjithatë, kriza nuk i dha fund sektorit të minierave dhe pse në këtë periudhë ka një rënie të prodhimit industrial në sektorin e minierave me 9.7%, kryesisht në minierat e lëndëve të para jometalike, por siç theksoi Bekteshi, situata pritet të stabilizohet nga mesi i vitit të ardhshëm. “Sidoqoftë, përkundër kushteve të vështira, minierat e metaleve nuk ndaluan së punuari edhe gjatë kësaj periudhe dhe prodhimi mbeti në të njëjtin nivel, dhe është inkurajuese që gjatë kësaj krize u dhanë disa koncesione të reja për kërkime të hollësishme gjeologjike dhe shfrytëzimin e burimeve minerale.”
ceku më tej Bekteshi gjatë fjalimit.
Ministri informoi se në sektorin e minierave në Maqedoninë e Veriut si dhe bashkëpunëtorët që i shërbejnë këtij kompleksi në vendin tonë ka mbi 10,000 të punësuar dhe gjatë pandemisë nuk kishte largime nga puna në këtë sektor. Prandaj, ky sektor është një nga sektorët kryesorë të prodhimit industrial dhe ka një rëndësi të madhe për ekonominë vendore.
Ka mbi 100 miniera aktive në vend, për shfrytëzimin e lëndëve të para minerale jo metalike dhe metalike. Nga ato metalike do veçoja bakrin, plumbin dhe zinkun si dhe arin dhe argjendin. Ekziston një interes në rritje edhe për shfrytëzimin e gurëve arkitektonikë-dekorativë si dhe të ujërave minerale dhe termo-minerale që janë tërheqëse për investime në zhvillimin e turizmit të banjave dhe prodhimtari oranzherike.
Ministri tha se Ministria e Ekonomisë aktualisht është duke punuar në rregullimin e rregullativës ligjore për prezantimin e koncesioneve për shfrytëzim, dmth shfrytëzimin e energjisë petrotermike nga shkëmbinjtë e nxehtë nëntokësorë, për të cilat ekziston një potencial i madh në Maqedoninë e Veriut.
“Sidoqoftë në kohën që jetojmë, një kohë e zhvillimit të lartë industrial, ka padyshim një ndërgjegjësim në rritje mes njerëzve për nevojën për një mjedis të shëndetshëm dhe të sigurt. Prandaj, angazhimi i Qeverisë është të sigurojë miniera të qëndrueshme, si dhe përdorimin e teknikave më të mira dhe më moderne të minierave, e ndikimi i tyre në mjedis dhe shëndetin e njeriut të minimizohet”, nënvizoi Ministri në fjalimin e tij në Konferencën Ndërkombëtare mbi burimet minerale.