Bekteshi: Kërçova bëhet me pishinën e parë,vazhdojmë të investojmë në të ardhmen e rinisë

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi së bashku me kryetarin e komunës së Kërçovës Fatmir Dehari, me Drejtorin e Agjencisë për Rini dhe Sport Darko Kaevski si dhe Zëvendës Ministrin e Ekonomisë Kirill Kolemishevski shënuan fillimin e ndërtimit të pishinës në Kërçovë.
Kjo pishinë është pjesë e projektit “Ndërtimi i14 Pishinave”. Investimi i përgjithshëm për ndërtimin e kësaj pishine është 44 milionë denarë nga Buxheti i Agjencisë për Rini dhe Sport.

Marketing

Ministri Bekteshi theksoi se për këtë Qeveri investimet në projekte kapitale janë thelbësore dhe jo vetëm që kontribuojnë në rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë, por edhe në përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve.

“Investimet kapitale janë shumë të rëndësishme, vitin e kaluar kemi pasur realizim të shkëlqyeshëm. Kjo ngjarje sot, me vendosjen e gurthemelit të kësaj pishine e cila është e para e këtij lloji në Kërçovë, dëshmon se kur ka bashkëpunim ndërmjet pushtetit lokal dhe atij qendror në procedurat e zbatimit të projektit, të gjitha projektet e parashikuara në buxhetin e Qeverisë mund të realizohen shpejtë ”, deklaroi kështu ministri, duke shtuar se me këtë pishinë nënkuptohen kushte shumë më të mira për banorët e Kërçovës dhe zonën përreth, veçanërisht për të rinjtë dhe nxënësit.
“Me projekte të tilla, Qeveria dëshmon se sporti zë një vend shumë të rëndësishëm në agjendë dhe projektet që janë duke u zbatuar. Jo vetëm në kryeqytet, por në të gjitha rajonet. Kjo tregon përkushtimin tonë për të investuar në të ardhmen e të rinjve. Sa më shpejt që zbatohen projekte të tilla, aq më mirë për të gjithë vendin “, theksoi ministri.
Drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport Darko Kaevski informoi se realizimi i projektit “Ndërtimi i 14 pishinave” do të bëhet në dy faza në të cilat faza e parë përveç Kërçovës përfshinë komunat e Tetovës, Manastirit, Shtipit, Kisella Vodës dhe Gjorçe Petrov.
“Ndërtimi i pishinës në Kërçovë do të zgjasë 18 muaj. Kjo pishinë do të jetë e gjatë 25 metra dhe 5 metra e gjerë, që do të thotë se do të përmbushë të gjitha standardet e notit për garat e mëdha që mund të organizohen në këtë qytet. Ky është një nga projektet që synon të inkurajojë dhe stimulojë të rinjtë për sport dhe t’i motivojë ata të bëjnë një mënyrë jetese të shëndetshme dhe të ndihmojnë të rinjtë të kenë një sistem më të mirë shëndetësor “, tha Kaevski dhe falënderoi qeverisjen lokale për bashkëpunimin e shkëlqyer që do të mundësojë zbatimin e shpejtë të këtij projekti infrastrukturor.

Kryetari Dehari theksoi se ky investim kapital parashikon ndërtimin e një pishine moderne, e cila po ndërtohet për herë të parë në Kërçovë.
“Sporti është një nga aktivitetet më të bukura sociale dhe shpresoj që pishina të jetë e dobishme jo vetëm për rininë dhe nxënësit tanë por për të gjithë, shpresoj që ndërtimi të përfundojë sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe se do ta shohim përsëri njëri-tjetrin në hapjen e tij së shpejti”, tha kryetari komunës së Kërçovës.