Bekteshi në Davos në takim ministror për tregtinë elektronike

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i cili është pjesë e delegacionit qeveritar në kuadër të agjendës së punës dhe ekonomisë të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, sot mori pjesë në një takim ministror për tregtinë elektronike, në të cilën Republika e Maqedonisë si anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë merr pjesë aktive në avancimin e rregullave të tregtisë ndërkombëtare.

Marketing

Në takimin, në të cilin morën pjesë Drejtori i OBT-së Roberto Azevedo, si dhe Komisionarja evropiane për Tregti Cecilia Malmström, ministrat kanë kërkuar fillimin e negociatave mbi Marrëveshjen rreth aspekteve të tregtisë ndërkombëtare elektronike në kuadër të Organizatës Botërore të Tregtisë.

62 shtetet që mbështesin këtë iniciativë, ndër të cilat edhe Maqedonia kanë konfirmuar besimin e tyre në mundësitë që ofron tregtia elektronike për kompanitë por edhe për ekonomitë tjera në tërësi.

Ministri Bekteshi theksoi se “veçanërisht për vendet si Republika e Maqedonisë, me ekonomi të vogla por të hapura, tregtia elektronike mund të stimulojë ndjeshëm ndërmarrësinë, të zvogëlojë joefikasitetin, të rrisë produktivitetin dhe të kontribuojë ndjeshëm në rritjen ekonomike”.

Prandaj, Republika e Maqedonisë përpiqet të krijojë një kornizë të përshtatshme ligjore për tregtinë elektronike dhe mbështet të gjitha përpjekjet për një kornizë të tillë ligjore në nivel ndërkombëtar,si qëllim i një Marrëveshjeje mbi këtë çështje në kuadër të Organizatës Botërore të Tregtisë.

Ministri Bekteshi theksoi edhe një herë se kjo qeveri është e vendosur të ndërmarrë të gjith hapat e nevojshëm që do të sigurojnë stabilitet dhe siguri për vendin dhe rajonin dhe që do të hapin dyert për investime të reja të huaja, për zhvillimin e ekonomisë dhe për një standard më të mirë jetese për të gjithë qytetarët.