Bekteshi në takimin Ministror për sigurinë energjetike në Sofje: Historia të tërhiqet menjanë, për të gjetur zgjidhje së bashku që do të jetë në interes të të gjitha vendeve të rajonit

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot mori pjesë në takimin Ministror për Bashkëpunim Rajonal për siguri energjetike, diversifikimin dhe tranzicionin e gjelbër të cilën u mbajt në Sofje, Republika e Bullgarisë.
Në takimin Ministro, ministrat nga vendet e Rajonit me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian diskutuan për sigurinë energjetike, nevoja për një përgjigje urgjente ndaj ndërprerjes së furnizimit me energji si pasojë e krizës në Ukrainë, dekarbonizimi dhe tranzicioni i gjelbër si dhe krijimi i platformës së parë rajonale të BE-së për furnizimin me gaz në suaza të Platformës Gjithëpërfshirëse të BE-së.
Ministri Bekteshi, në fjalën e tij, theksoi se të gjitha vendet pjesëmarrëse në këtë takim Ministror po përballen me agresionin ushtarak që po ndodh në zemër të Evropës dhe që po u shkakton dëme të mëdha të gjithëve.
“Maqedonia e Veriut është shtet i vogël në Ballkan, por ne jemi të përfshirë në të gjitha iniciativat rajonale për të siguruar furnizimin me gaz, por edhe diversifikimin e burimeve të furnizimit me energji. Të gjithë jemi përballur me vendime të vështira në këtë kohë të vështirë, por kohët e vështira sjellin përparim”, tha ministri Bekteshi.
Ministri falënderoi për mbështetjen e Bashkimit Evropian, me të cilën në vitet e fundit kanë punuar së bashku në reformat e sektorit energjetik në Maqedoninë e Veriut me qëllim të ndërtimit të interkonektorëve të rinj dhe lidhjes më të madhe të rrjetit jo vetëm në rajon por edhe në Evropë.
“Qëllimi kryesor i këtyre investimeve për lidhjen rajonale të sistemeve energjetike dhe diversifikimin e burimeve të energjisë është konkurrueshmëria më e madhe e ekonomive tona dhe çmimet më të ulëta të energjisë. Aktualisht ndërtimi i interkonektorit me Greqinë është në fazën përfundimtare, ndërsa jemi në bisedime edhe me Bullgarinë për ndërtimin e një interkonektori në Strumicë. Për momentin furnizohemi me gaz vetëm nga një gazsjellës me Bullgarinë me gaz nga “Gazprom”, potencoi ministri Bekteshi.
Gjithashtu, ministri Bekteshi potencoi se çështjet historike duhet të lihen mënjanë dhe të merren vendime në interes të të gjithëve.
“Rajoni prodhon shumë pyetje historike dhe është e nevojshme që në këto kohë të vështira të tërhiqet historia mënjanë. U bëj thirrje të gjithëve për solidaritet që bashkërisht të gjejmë zgjidhje që do të jenë në interes të të gjitha vendeve”, porositi ministri Bekteshi.
Në takimin Ministror për energjinë në Sofje u formua platforma e re rajonale e BE-së për furnizimin me gaz në të cilën përfshihen edhe vendet nga Ballkani Perëndimor. Në këtë platformë merr pjesë edhe Maqedonia e Veriut.
Platforma e re rajonale në kuadër të Platformës Gjithëpërfshirëse të BE-së synon të adresojë nevojat rajonale të gazit dhe energjisë, infrastrukturën, çmimet dhe të reduktojë varësinë nga burimet ruse të energjisë.
Platforma e Sofjes do të koordinojë planet në rajon, furnizimet ndërkombëtare dhe gjithashtu do të kontribuojë në sigurinë energjetike në rajon.

Marketing

Në takimin ministror të organizuar nga Ministria e Energjetikës të Bullgarisë, përveç ministrit Bekteshi dhe nikoqirit, ministri i Energjetikës i Bullgarisë, Aleksandar Nikollov, morën pjesë edhe Dite Jorgensen, Drejtor Gjeneral i drejtorisë për Energjetikë në Komisionin Evropian (DG ENER), Konstantinos Skrekas, ministër për Energjetikë dhe Mjedisit i Greqisë, Virgil Daniel Popesku, ministër për Energjetikë i Rumanisë, Zorana Mihajloviq, zëvendëskryeministre dhe ministre e Minierave dhe Energjetikës së Serbisë, Parviz Shahbazov, ministër për Energjetikë i Azerbejxhanit, German Gallushenko, ministër për Energjetikë i Ukrainës, si dhe Alparslan Bajraktar, zëvendësministër për Energjetikë dhe Burimeve Natyrore të Turqisë.