Bekteshi-Nikollov: Thellohet bashkëpunimi në sektorin energjetik mes RMV-së dhe Bullgarisë

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe ministri i Energjetikës i Bullgarisë Aleksandar Nikollov sot bashkëkryesuan Grupin Punues për Zhvillim në fushën e Infrastrukturës, Transportit dhe Energjisë, ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Në takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e energjisë dhe përshpejtimin e realizimit të projekteve energjetike mes dy vendeve. Tema kryesore e takimit, siç theksoi ministri Bekteshi në konferencë për media në Qeveri, ishte sigurimi i sasive shtesë të gazit natyror për Maqedoninë e Veriut.

Marketing

“Është duke u shqyrtuar mundësia e rezervimit të objekteve për Maqedoninë e Veriut në depot e gazit natyror që ndodhen në territorin e Bullgarisë, me çka më 6-të ose 7 prill duhet të mbahet takim mes kompanive nacionale të energjisë nga të dy vendet NER dhe Bullgargaz për të përcaktuar detajet dhe për të përshpejtuar procesin. Me menaxhmentin e kompanive energjetike kemi biseduar edhe për zgjerimin e interkonektorit Petriç – Strumicë deri në TEC Negotinë, duke rishikuar studimin ekzistues. Për interkonektorin Petriç – Strumicë u dakordësuam që të rishikojmë studimin pasi që ai i mëprashmi ka parashikuar që të kemi deri në Shtip, por normalisht që do ta bëjmë deri te TEC Negotinë, për shkak se nëpërmjet ESM-së janë marrë masat e duhura për të pasur kapacitet shtesë për prodhimin e energjisë elektrike nga gazi natyror”, deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, duke shtuar se si zgjidhje afatgjatë në këtë drejtim është pjesëmarrja e Maqedonisë së Veriut në terminalin e gazit të lëngshëm natyror të Aleksandropulos në Greqi për të cilin tashmë është nënshkruar një marrëveshje.
“Me menaxhmentet e kompanive energjetike nga të dyja palët kemi shqyrtuar mundësitë për përshpejtimin e projekteve duke pasur parasysh krizën energjetike. Ne kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer edhe më herët në sektorin e energjisë, por nuk do të ndalemi këtu. Ne do të vazhdojmë me projekte shtesë, që të dyja vendet të përfitojnë nga investimet. Biseduam për zbatimin e Memorandumit për lidhjen e tregjeve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Procedura për ngritjen e një tregu të organizuar dhe një kompanie që do ta bëjë atë në vend është drejt përfundimit. Procedura duhet të përfundojë deri në fund të vitit dhe në fillim të vitit të ardhshëm kur do të kemi një organizim në tregun e brendshëm, do të lidhemi me Bullgarinë dhe do ta zgjerojmë me investime të ndryshme, si për shembull interkonektori me Bullgarinë dhe fqinjët e tjerë”, potencoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në pres-konferencën e përbashkët për media me ministrin e Energjisë të Bullgarisë, Aleksandar Nikollov.
Ministri i Energjisë Aleksandar Nikollov tha se Maqedonia e Veriut do të furnizohet me gaz natyror dhe të gjitha sasitë e nevojshme do të sigurohen përmes Bullgarisë, pavarësisht nëse Bullgaria do të vazhdojë të furnizohet nga Rusia apo jo, nga e cila varet furnizimi për vendin tonë, por theksoi se vendet duhet të investojnë në sigurimin e burimeve alternative.
“Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria nuk janë të lidhura vetëm në energji, por edhe në infrastrukturë, histori, por janë edhe afër Evropës. Lufta në Ukrainë është afër nesh dhe të gjithë e ndjejmë ndikimin negativ. Të gjithë duhet të mendojmë për mënyra alternative për furnizimin me gaz natyror për të minimizuar varësinë nga Rusia. Është e nevojshme të realizohen projekte të përbashkëta nga të cilat do të përfitojnë qytetarët e të dy vendeve. Në kohë të vështira mund të shihni se cilët janë miqtë e vërtetë. Ka mundësi të mëdha, por rreziqet duhen ndjekur. Bullgaria është në dispozicion për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut, jo vetëm nga pikëpamja teknike, por edhe në pjesën e infrastrukturës”, tha Aleksandar Nikollov – minister i Energjisë i Republikës së Bullgarisë.