Bekteshi: Nuk është normale që 17 konsumatorë të harxhojnë 10 % të energjisë elektrike në vend

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i ftuar sonte në emisionin Click Plus në Televizionin 21, duke folur për krizën energjetike, tha se nuk është normale që 17 konsumatorë të harxhojnë 10 % të energjisë elektrike në vend. Ai tha se këta 17 konsumatorë janë objektet fetare, shkolla private dhe supermarkete në vend duke shtuar se këta konsumatorë nga tani e tutje do të paguajnë një tarifë më të lartë.

Marketing

“Amvisëritë që kursejnë energji elektrike, do paguajnë edhe më pak edhe më lirë se sa është çmimi aktual i energjisë elektrike. Nuk është normale dhe logjike që 17 shfrytëzues konsumojnë 10 për qind të energjisë elektrike të nevojave ditore. Ajo është diku te 1000 megawat orë që harxhojnë këta shfrytëzues ku janë edhe kishat dhe xhamitë. Tani ata do të paguajnë më së paku çmimin aktual që shitet sot në treg”, tha Bekteshi.

“Para ka”, siguroi Bekteshi: Borxhin e marrim për të paguar borxhet e vjetra dhe për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë

Ai gjithashtu në emisionin “Click Plus”, ka thënë se momentalisht shteti ka para dhe se është në gjendje të kryej të gjitha pagesat. I pyetur se përse atëherë po merren borxh 900 milionë euro, ai u përgjigj se me këto para po kthehen borxhet e marra në vitet e kaluara.
“Ka pare në buxhet, të gjitha pagesat po bëhen në afate të caktuara nga ana e buxhetit, siç janë pensionet, pagat edhe pagesat ndaj kompanive. Por paratë borxh që po marrim një pjesë e madhe e këtyre janë obligimeve nga vitet e kaluara, pra nga huat dhe euro-bondet e marra nga vitet e kaluara. Por njëkohësisht edhe për shkak të masave që po i implementojnë, ku ka edhe masa shtesë, që t’u vijmë në ndihmë qytetarëve me paga të ulta, ku kemi paraparë rreth 80 milionë euro për t’u përgatitur edhe për më të keqen nëse do të vazhdojë kriza energjetike nëpërmjet subvencioneve direkte”, tha ministri Bekteshi.