Ali Ahmeti ka edhe shumë për të dhënë për politikën në Maqedoninë e Veriut, duke pasur parasysh që ne kemi zgjidhur tashmë të gjitha çështjet kryesore. Në BDI ekipi që fiton nuk ndryshon e veçanërisht trajneri apo drejtuesi, thotë Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi në intervistën javore të Radios Evropa e Lirë.
I pyetur nëse do të ketë ndonjë ndryshim në udhëheqësi pas kongresit të 21 dhjetorit, Bekteshi thotë:
“Unë mendoj se Ali Ahmeti ka edhe shumë për t’i dhënë politikës në Maqedoninë e Veriut, duke pasur parasysh që ne kemi zgjidhur tashmë të gjitha çështjet kryesore, jemi para anëtarësimit të plotë në NATO, para fillimit të negociatave me BE. Në BDI skuadra fituese nuk ndryshon, veçanërisht trajneri apo drejtuesi. Sigurisht që do të ketë ndryshime në udhëheqjen e BDI-së, por më e rëndësishmja për qytetarët dhe mbështetësit e BDI-së është që BDI të dalë me një program të ri i cili do të bazohet në pesë shtylla, e cila do të promovohet në Kongres.
Unë mendoj se ky do të jetë një nga programet më të mirë të partive politike që ka, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, sepse këtu për BDI-në nuk ka konkurrencë, natyrisht, por do të jetë një program i shkëlqyeshëm politik që sigurisht në vitet në vazhdim do të kopjohet edhe nga partitë tjera në rajon.
Ai gjithashtu thotë se BDI do të jetë faktori vendimtar në zgjedhjet e ardhshme.