Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi së bashku me kryeministrin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, Ministren për Investime të huaja Zorica Apostolska, Drejtorin e Zonave Teknologjike të Zhvillimit Industrial Aleksandar Mlladenovski,Drejtorin e kompanisë Dura Automotive Mike Beket dhe Kate Marie Bërns, ambasadoren e SHBA-ve në Maqedoni vizituan objektet e prodhimit të kompanisë amerikane DURA Automotive Systems, e cila tashmë ka filluar prodhimin në fabrikën e saj të parë dhe po fillon ndërtimin e dy impianteve të reja.
Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi gjatë vizitës në kompaninë Dura Automotive, theksoi se mbështetja e biznesit vendor si dhe investitorëve të huaj tregon rezultate të dukshme përmes rritjes së numrit të investimeve të huaja në vendin tonë, por edhe përmes rritjes së numrit të të punësuarve në industri.
“Një nga qëllimet strategjike të kësaj Qeverie është të zhvillimi i ekonomisë, të rrisë produktivitetin, punësimin dhe të rrisë standardin e jetesës së qytetarëve. Pikërisht ky investim i “DURA Automotive” është një shembull tjetër i suksesit të politikave tona ekonomike, sepse kjo është një kompani tjetër që ka ndier përfitimet e Planit të Rritjes Ekonomike. Me këtë investim vazhdon trendi i rritjes së numrit të investitorëve të huaj që investojnë në Maqedoninë e Veriut.”, deklaroi kështu Ministri Bekteshi.
Ministri Bekteshi theksoi se investimet amerikane në Maqedoninë e Veriut po shtohen vazhdimisht, fakt që flet se numër i madh i qytetarëve do të kenë mundësi punësimi me kushte të mira pune dhe paga solide, dhe me këtë edhe parandalohet ikja e të rinjve nga vendi.
Gjatë vizitës së tij në DURA Automotive Systems, kryeministri Spasovski theksoi se është një nga kompanitë më të fuqishme në industrinë e automobilave me mbi 30 fabrika dhe qendra inxhinierike në 12 shtete në mbarë botën dhe se me kënaqësi kumton faktin se Maqedonia e Veriut është vendi i trembëdhjetë në të cilin kompania ndërton edhe tre fabrika të tjera.
“Tri fabrikat e automjeteve të Dura Automotive Systems do të punësojnë rreth 1.000 persona. Ata të gjithë do të punojnë në sistemet kryesore të fabrikës dhe do të marrin trajnime dhe aftësi për të marrë pjesë në procese të teknologjisë së lartë. Kompania gjithashtu synon të ndërtojë një Qendër Kërkimi dhe Zhvillimi për të mbështetur fabrikat e saj, të cilat do të punësojnë inxhinierë kualifikime të larta dhe me përvojë, përfshirë inxhinierë të dizajnit kompjuterikë, ekspertë të makinerive, inxhinierë mekanikë dhe elektrikë dhe të cilët do të ofrojnë trajnime.për punonjësit “, theksoi kryeministri Spasovski.
Drejtori i Zonave Teknologjike të Zhvillimit Industrial Aleksandar Mlladenovski, tha se tre investimet e kompanisë automobilistike DURA kanë rëndësi të madhe për zhvillimin e vendit.
“Bordi udhëheqës i kompanisë DURA ka hasur në mbështetjen e Qeverisë dhe prezentimet serioze të kushteve dhe përfitimeve që ne ofrojmë nëpër zona për të gjithë investitorët e huaj, në bazë të Ligjit për Mbështetje Financiare të investimeve”, ka deklaruar drejtori Mlladenovski.
Në fjalimin e tij, drejtori i kompanisë DURA Automotive, Mike Beket, tha se objektet e prodhimit në vendin tonë do të integrojnë teknologjinë më të mirë.
“Ekipi menaxhues i DURA Automotive vlerëson lartë bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Mbështetja e tyre e fortë ka mundësuar që ekipi ynë evropian i operacioneve të lëvizë shpejtë për të përfunduar këtë shtesë strategjike në punët tona, “tha Drejtori Beket.