Mijëra demonstrues u mblodhën përreth pallatit presidencial të Serbisë, në Beograd, për të protestuar ndaj një fjalimi të mbajtur nga presidenti Aleksandar Vuçiq këtë të dielë, vetëm një ditë pasi mbështetës të opozitës mësynë godinën e televizionit shtetëror serb.
Hyrja me forcë shënoi një tregues guximi dhe vendosmërie në vazhdën e protestave të opozitës, që janë mbajtur thuajse në mënyrë të përjavshme në vendin ballkanik që prej dhjetorit të vitit të kaluar, kundër asaj që ata e përshkruajnë si rrëshqitje të Vuçiçit drejt një sundimi autokratik.
Mbrëmjen e së shtunës, dhjetëra persona pushtuan godinën e televizionit RTS, të cilin protestuesit e akuzojnë se mban anën e partisë në pushtet, duke kërkuar t’i adresoheshin popullit përmes pamjeve të transmetuara drejtpërdrejt.
Udhëheqësit e partive opozitare u bënë më të dukshëm në protestën e kësaj jave, ndërsa mes atyre që mësynë godinën e televizionit shtetëror ishin edhe ish-kryebashkiaku i Beogradit, Dragan Djilas, dhe Bosko Obradoviç, kreu i partisë së ekstremit të djathtë, “Dveri”.
Gjatë demonstratës së të dielës, policia, që rrallëherë është parë gjatë mitingjeve të shkuara paqësore që kanë nisur prej 8 dhjetorit, pengoi protestuesit që përpiqeshin të hynin në zonën ku Vuçiç parashikohej të fliste, sipas një gazetari të AFP-së.
Në konferencën e tij për shtyp, të transmetuar drejtpërdrejt në “RTS”, Vuçiç tha se nuk iu frikësohej aspak protestuesve, të cilët ai i quajti huliganë. Ai kritikoi gjithashtu opozitën, teksa e quajti Obradoviçin “fashist” dhe Djilasin “oligark”.
Vuçiq, dikur ultranacionalist që u kthye në proeuropian, ka refuzuar akuzat e të qenit autokratik. Serbia, e cila aspiron t’i bashkohet Bashkimit Europian në vitin 2025, është kritikuar nga Komisioni Europian vitin e kaluar mbi lirinë e medias në vend, teksa janë denoncuar kërcënimet, frikësimet apo edhe dhuna ndaj gazetarëve.