Serbia ka nisur për në Maqedoninë e Veriut kërkesën për ekstradimin e ish-ushtarit të UÇK-së Tomor Morina, i cili u arrestua një javë më parë nga policia në vendkalimin kufitar Bllacë-Han i Elezi. Alsat ishte i interesuar të dinte detaje nga kërkesa e Serbisë, por ambasadorja serbe edhe pse e ftuar të merrte pjesë në një ngjarje së bashku me zv/kryeministrin Osmani, e anuloi pjesëmarrjen e saj në minutat e fundit. Ndërkaq sipas burimeve të Alsat, në Ministrinë e Drejtësisë kërkesa pritet që të mbërrijë pas dy ditësh. Nga Ministria e Drejtësisë ditë më parë për Alsat thanë se lënda do të dorëzohet në organet gjyqësore për procedurë të mëtutjeshme duke mos komentuar më shumë rastin. Morina duhet të lirohet urgjentisht, thotë nga ana tjetër zëvendëskryeministri Bujar Osmani duke i bërë thirrje Ministrisë së Drejtësisë që sa më shpejt të merr vendim për fatin e Morinës. Osmani madje ka kërkuar nga gjykatësja e lëndës që t’i mundësojë takim me ish-ushtarin e UÇK-së që po mbahet në paraburgim në Maqedoni.
Gjyqësori duhet të kalojë nëpër procedurat e nevojshme përderisa Ministria e Drejtësisë të merr vendimin për mos-ekstradimin e tij. 16-19 Të jeni të bindur se aq sa mund politika të ndikojë në situata të tilla, po bëjmë çmos për të alarmuar për të gjithë se kjo është e papranueshme dhe kjo duhet urgjentisht të lirohet zotëri Morina- deklaroi Bujar Osmani – Zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Reagime të shumta për arrestimin e Morinës kanë arritur edhe nga politikanët në Kosovë të cilët gjithashtu kërkojnë lirimin e menjëhershëm të ish-ushtarit të tyre. Ambasadori i Kosovës në Maqedoni Gjerjgj Dedaj ka anuluar pushimet e tij dhe në një qëndrim në facebook shkruante:
Kam vendosur ta ndërpresë pushimin, për të takuar autoritetet e Shkupit Zyrtar, që të lirohet Tomor Morina, i arrestuar padrejtësisht, në sajë të fletë arrestit serb! Diplomatët dhe kolegët e Ambasadës se Kosovës, në Shkup, kanë bërë të gjitha përpjekjet dhe angazhimet qe z.Morina sa më parë të lirohet dhe të kthehet në Kosovë!- VZRT GJERGJ DEDAJ, AMBASADOR I KOSOVËS NË MAQEDONINË E VERIUT.
Ndërsa kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti, nuk bindet për përpjekjet e autoeriteteve kosovare dhe i akuzon ata për për mos-angazhim të mjaftueshëm në rastin e Morinës. Ndërkaq kërkesa e Avokatit Naser Raufi për të lënë në liri Morinën është refuzuar nga Këshilli i Gjykatës Penale për krim të organizuar. Alsat ditë më parë njoftoi se edhe në rast të kërkesës për ekstradim, është i mundshëm lirimi i Morinë bazuar në ligjin për bashkëpunim ndërkombëtarë për materie penale, i cili thotë se nëse ekzistojnë dyshime që në shtetin ku kërkohet ekstradimi, gjykimi nuk do të jetë i drejtë apo mund të cenohet siguria e personit në fjalë, atëherë kërkesa për ekstradim mund të hidhet poshtë dhe personi të lirohet.
Neni 66, pika 3 e Ligjit për bashkëpunim ndërkombëtarë për materie penale
“Ministri nuk do të lejojë ekstradimin e personit për të cilin është kërkuar ekstradim, nëse ekzistojnë arsye serioze të dyshimit se ai mund t’i nënshtrohet torturës dhe apo ndonjë lloji tjetër trajtimi mizor, çnjerëzor ose degradues, ose shqiptim i dënimit me vdekje”.
Morina përveç shtetësisë së Kosovës ka edhe shtetësi të Britanisë së Madhe e cila gjithashtu, sikurse autoritetet kosovare, ka shprehur interes për lirimin e tij. Raste të ekzekutimeve të tilla të flet-arresteve nga ana e Serbisë, vite më parë patën dërguar prapa grilave Agim Çekun, Ramush Haradinajn dhe Gafur Dugollin, të cilët pas një periudhe shumë të shkurtër u lëshonin në liri.