Beqiri: O Zot na ruaj nga “miqtë”, se nga armiqtë ruhemi vet

Fuat Beqiri, djali i dëshmorit të kombit Abaz Beqiri me një status të tij në rrjetin social Facebook ka reaguar ndaj sjelljes së policisë së Kosovës pas ndeshjes së djeshme futbollistike Llapi-Shkupi në Prishtinë.

Marketing

Sipas tij dje policia e Kosovës ka ushtruar dhunë ndaj tifozëve shkupjanë të cilët festuan pas përfundimit të ndeshjes. Beqiri e quan turp sjelljen e këtillë të policëve të Kosovës të cilët gjatë intervenimit të dhunshëm nuk kursyen as femrat që ishin pjesë e tifozerisë shkupjane.

Postimi i plotë:

TURP PËR POLICINË E KOSOVËS!

Para 1 jave ishin lojtarët dhe tifozët e KF Llapit në Qendër të Shkupit ku u pritën si vëllezër nga nikoqirët FC Shkupi dhe Shvercerat. U pritën dhe u përcollën si në shtëpinë e shqiptarit me të gjitha protokolet dhe me zemër, ashtu siç na ngjan neve pa u munguar as edhe një fije floku.
Mbrëmë pas ndeshjes në Prishtinë, duke festuar tifozët e Shkupit së bashku me lojtarët kualifikimin e tyre, ka intervenuar njësiti special i Kosovës duke ushtruar forcë dhe dhunë ndaj tifozëve që kishin shkuar nga Shkupi. Ku mbeti besa e shqiptarit?!

Ku mbetën dashuria e gjakut vëllazëror shqiptar?!
Ku mbetën dhimbja e përjetuar e sistemeve?!
Ku e keni ndërgjegjen?! Ku e keni solidarizimin ndaj femrës shqiptare të Shkupit që mbrëmë pësoi me lëndime në turmën që shkaktoi policia juaj?!
Futbolli është një lojë argëtimi dhe rekreimi dhe jo moment për të treguar forcë ndaj simpatizantëve të futbollit dhe më pak kur bëhet fjalë për klub dhe tifozë shqiptarë. Shumë shpejtë harruam torturat, masakrat, dhunën e të tjerëve. Shumë shpejtë harruam amanetin dhe sakrificën e dëshmorëve, invalidëve, ushtarëve, veteranëve dhe lotët e shumë nënave shqiptare që ndër dekada ishim të shtypur nga armiku! O Zot na ruaj nga “miqtë”, se nga armiqtë ruhemi vetë!
#TurppërpolicinëeKosovës
#PërShkupin #MeShkupin

Marketing