Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në përgjigjen e tij të tretë dhe të fundit, i ka quajtur bajate akuzat e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq për Shqipërinë e madhe, duke thënë se marrëveshja midis Kosovës dhe Beogradit mund të arrihet vetëm kur Beogradi të heqë dorë nga parimet raciste të kufijve sipas linjave të pastra etnike dhe të pranojë njohjen e Kosovës.
Ai në një postim në Facebook shkruan se marrëveshja midis Kosovës dhe Beogradit nuk do të mund të jetë kurrë e qëndrueshme dhe e pranueshme në rast se Serbia si agresor nuk kërkon falje publike dhe nuk zhdëmton për vrasjen dhe zhdukjen e mbi 13 mijë shqiptarëve dhe spastrimin etnik të mbi një milion shqiptarëve nga ish-regjimi kriminel i Slobodan Milosheviq.
“Personalisht kam qene dhe mbetem i palëkundur në bindjen time se marrëveshja midis Kosovës dhe Beogradit është e një rëndësie kryesore për bashkëpunimin midis këtyre dy vendeve si dhe për paqen dhe stabilitetin në rajon. Por kjo marrëveshje do mund të arrihet vetëm kur Beogradi të heqë dorë nga një marrëveshje me të cilën ka si qëllim që “Serbia të bëhet më e madhe”, shkruan Berisha.