Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Shkup, Kejt Mari Bërns në një bisedë ekskluzive për gazetën “KOHA”, ka folur për aktualitetin politik në vend, formimin e Qeverisë së re, si dhe për idenë e BDI-së për kryeministër shqiptar.
Ajo vlerëson se duke pasur parasysh situatën me krizën shëndetësore me Covid-19, liderët e partive politike duhet t’i respektojnë afatet e parapara dhe sa më shpejt t’i formojnë institucionet e vendit.
“Ne presim që partitë të mblidhen dhe t’iu përmbahen afateve. Duke pasur parasysh krizën me COVID-19 dhe çështjet e tjera të rëndësishme me të cilat përballet vendi, arritja e marrëveshjes për një qeveri të re që do të jetë në gjendje të zgjidhë këto çështje, është prioritet”, tha për gazetën “KOHA”, ambasadorja Bërns. E pyetur për idenë e BDI-së për kryeministrin e parë shqiptar, ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Kejt Mari Bërns thotë se sistemi pluralist i Maqedonisë së Veriut mundëson zgjedhjen e kryeministrit me votat e shumicës së deputetëve, pavarësisht përkatësisë etnike.