Maqedonia e Veriut këtë vit do të ketë rritje të bruto prodhimit vendor (BPV) prej 2 për qind, ndërsa në vitin 2024 prej 3 për qind, parashikon Banka Evropiane për Rindlrtim dhe Zhvillim (BERZH) në raportin e fundit për gjendjen e ekonomive në rajonin që i mbulon.
“Rritja e BPV -së me siguri do të mbetet modeste në vitin 2023 prej rreth 2 për qind, para se të rritet deri në 3 për qind në vitin 2024, për shkak të rimëkëmbjes së pritshme ekonomike globale. Edhe krahas rritjes së mëtejshme të pagave minimale nga prilli i vitit 2023, rritja e pensioneve dhe kufizimet e çmimeve për disa produkte bazë, kërkesa e familjeve do të mbetet e heshtur në vitin 2023, pasi nivelet e larta të inflacionit i ulin të ardhurat reale. Ngadalësimi ekonomik i partnerëve kryesorë tregtarë do të ndikojë në eksport, ndërsa rritja e pasigurisë dhe shtrëngimi i kushteve për financim mund të ndikojnë në besimin e investitorëve”, theksohet në raportin e BERZH-it për vendin.
BERZH-i pret që rritja ekonomike në rajonin e Ballkanit Perëndimor të ngadalësohet deri në 2 për qind në vitin 2023, ndërsa vitin e ardhshëm të arrijë deri në 3.4 për qind.
Nga vendet në rajon, rritje më të madhe ekonomike këtë vit do të kenë Mali i Zi dhe Kosova 3.5 për qind, Shqipëria dhe Kroacia 2.5 për qind, Greqia 2.4 për qind, Serbia 1.8 për qind, Bullgaria 1.6 për qind, ndërsa rritje më të vogël Bosnja e Hercegovina 1.5 për qind.