BESA dhe PDSH të pakënaqur me Zaevin?!

Qeveria po zvarrit ndarjen e posteve të drejtorive dhe disa posteve të tjera qeveritare si pjesë e kulaçit të ndarë për Lëvizjen BESA dhe PDSH.

Marketing

Kohë më parë burime partiake bëjnë të ditur për televizionin Shenja se as nuk kanë filluar të takohen grupet punuese të cilat u paralajmërua se do të formohen dhe do të diskutojnë për këtë çështje.

“As partnerët e deritanishëm e as partnerët e posainkuadruar në koalicionin qeveritar nuk kanë informata se kur do të bëhet ndarja e drejtorive dhe pozicioneve të tjera në eshalonin e tretë”, theksuan këto burime.

Zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski paralajmëroi se menjëherë pas zgjedhjes së ministrave dhe zëvendës-ministrave në Kuvend, brenda javës tjetër do të kishte përgjigje konkrete për ndarjen e drejtorive.

Pas arritjes së marrëveshjes për zgjerimin e koalicionit qeveritar me Lëvizjen Besa, PDSH-në dhe Partinë Demokratike Turke, u paralajmërua se këtyre partive do t’u takojnë edhe drejtori përkrah posteve të ministrave dhe zëvendës-ministrave të cilët u zgjodhën të premten e kaluar. Lëvizja Besa në Qeveri drejton ministrinë e kulturës, ndërsa kuadër i kësaj partie u zgjodh sekretar shtetëror në Ministrinë e Drejtësisë.

Ndërkaq, PDSH e Menduh Thaçit mori Ministrinë për Investime të huaja dhe postin e zëvendësministrit për Transport dhe Lidhje. Ndarja e dikasterëve në eshalonin e tretë mes partnerëve të koalicionit dhe zgjedhja e drejtorëve të rinj është vlerësuar si domosdoshmëri për shkak se shumë pozicione kanë ngelur të zbrazta për muaj të tërë, disa madje edhe që nga formimi i Qeverisë së re.

Marketing