Besa e Kasamit i dërgoi kërkesë edhe Qeverisë për ndryshimet kushtetuese

Lëvizja Besa i ka dorëzuar sot edhe Qeverisë kërkesë lidhur me amendamentet kushtetuese të propozuara nga kjo parti dhe që kanë të bëjnë me shqiptarët.

Marketing

Ja kërkesa e plotë:

Duke u nisur nga fakti se jemi në një moment historik dhe shumë të rëndësishëm për të ardhmen e shtetit, duke i respektuar dhe promovuar të gjitha vlerat e demokracisë së mirëfilltë si një nga vlerat kryesore të NATO-s dhe BE ku po synojmë që të integrohemi, e vlersojmë si moment jashtëzakonisht të volitshëm që përmes një kohezioni intra-etnik dhe ndër-etnik të korigjojmë gabimet nga e kaluara që janë bërë përmes formulimeve jo adekuate në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, dhe për të ndërtuar një Kushtetutë e cila do jetë burim kryesor i paqes, tolerancës dhe vlerave demokratike. Ne deputetët e Lëvizjes Besa në Kuvendin e Maqedonisë i sugjerojmë propozuesit të ndryshimeve kushtetuese, pra Qeverisë së RM-së që gjatë përpilimit të draftverzionit për ndryshime kushtetuese që do ti dërgohet për debat Kuvendit të Republikës së Maqedonisë të inkorporojë edhe këto pika:

1. Në pjesën e Preambulës të rikthehet propozimi që u miratua nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit nga viti 2001, ku Maqedoninë e definonte si shtet të
barabartë të gjithë qytetarëve të saj.

Arsyetimi:

Marrëveshja e Ohrit e nënshkruar në Ohër në vitin 2001 përmes një dialogu dhe kompromisi të gjithë liderëve politik në atë kohë arriti të formulon një preambulë e cila për fat të keq u deformua më vonë gjatë ndërhyrjeve kushtetuese. Propozimi bazik që ndodhet edhe në arkivën e Kuvendit të Maqedonisë është model mbi të cilin duhet të ndërtohet e ardhmja e këtij shteti, pra përmes një ndërhyrje në këtë formë do garantohen obligimet dhe përgjegjësitë e barabarta të të gjithë qytetarëve dhe etnive që jetojnë në Maqedoni, pasi që edhe modeli të cilin e synojmë me integrimin e vendit në NATO dhe BE promovon pikërisht vlerat që burojnë nga Preambula edhe pse e dakorduar por e pa inkorporuar gjatë ndryshimeve kushtetuese në vitin 2001.

2. Amandamenti V, pika 1, paragrafi 1 i Kushtetutës të formulohet në këtë formë:.
Në tërë teritorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare
gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi cirilik dhe gjuha shqipe dhe
shkrimi i saj.

Paragrafet tjerë të Amendamentit V duhet te fshihen ose të përshtaten konform
paragrafit 1.

Arsyetim:
Përmes këtij ndryshimi krijohet një mundësi për të hequr dilemat dhe pengesat që përgjatë këtyre viteve janë keqpërdorur për përfitime politike por njëkohësisht përmes kësaj ndërhyrje mundësohet lehtësim në përdorimin e gjuhës shqipe, gjuhë të cilën e flasin një pjesë shumë e madhe e popullatës që jetojnë në teritorin e Maqedonisë. Përderisa me Marrëveshjen e Prespës sigurohet dhe garantohet identiteti i maqedonasve dhe gjuha maqedone, që për ne nuk kanë qenë asnjëherë çështje e kontestuar, nga ana tjetër në Kushtetutën aktuale kemi një situatë nënçmuese për popullatën shqiptare ku rregullimi i përdorimit të gjuhës shqipe është përkufizuar përmes definicionit me përqindje dhe jo përmes njohjes të identitetit të shqiptarëve dhe gjuhës shqipe.

3. Neni 49 i Kushtetutës të saktësohet në drejtim të asaj se Maqedonia përkujdeset për
të gjithë qytetarët e saj që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Maqedonisë,
njejtë për të gjitha bashkësite etnike.

Arsyetimi:
Diaspora është një nga pasuritë më të mëdha që posedon një shtet dhe në këtë drejtim
përfitimet që vijnë nga diaspora asnjëherë nuk janë vetëm për një etnitet por ato reflektohen për të mirën e gjithë qytetarëve të vendit. Duke e pasur parasysh edhe faktin që diaspora ka marrë pjesë aktive në gjitha proceset të rëndësishme të vendit dhe është pjesë e pandarë e shtetit çdo tentim për të favorizuar një bashkësi etnike dhe duke i përjashtuar ose përgjithësuar bashkësitë e tjera që janë po aq të rëndësishme nuk do reflektojë karakterin real të shoqërisë që përbën tërësinë e Republikës së Maqedonisë
4. Neni 75, paragrafi 3 dhe paragrafi 4 të formulohet në mënyrën që mos të lejojnë
Kryetarin e shtetit të bllokojë ligjet e miratuara për herë të dytë nga Kuvendi, ( të
merr kompetenca qe nuk i ka sipas kushtetutes së vendit)

Pas votimit te dytë në Kuvendin e RM dhe mosdekretimit nga Kryetari i Republikës
në afat kohorë të caktuar prej shtatë (7) ditëve, ligji i aprovuar të publikohet në
Gazetën Zyrtare vetëm me nënshkrimin e Kryetarit të Kuvendit.

Arsyetimi:
Jemi të vetdijshëm se gjatë kësaj periudhe disa vjeçare papërgjegjsia e Kryetarit të shtetit ka gjeneruar situata të pakëndshme dhe kriza institucionale, duke krijuar klimë të tënsionuar politike siç ishte rasti me mos nënshkrimin e dekretit për ligjin e gjuhëve apo dekretin për miratimin e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë. Përmes ndërhyrjeve në këtë nen të kushtetutës do të mundësohet funksionim i pa penguar i Kuvendit të Maqedonisë si institucioni më i lartë në kuadër të shtetit.
Jemi të bindur se përmes korigjimit, saktësimit dhe ndërhyrjeve në nenet e propozuara më
lart, ndjeshëm do përmirsohet Kushtetuta e vendit e cila do garantojë stabilitet dhe paqe
afatgjate si dhe do të jetë reflekcion i realitetit shoqëror që ka Maqedonia. Pra, me këto
ndërhyrje jo vetëm që do përforcohet karakteri multietnik dhe shoqëror i shtetit por
njëkohësisht do të mundësohet edhe funksionim efikas i institucioneve shtetërore, gjë që
është jashtzakonisht e rëndësishme për një shtet i cili synon integrimin në NATO dhe BE.

Marketing