Ligji u soll për të gjithë, por sivjet iu gëzuan vetëm të punësuarit në Ministrinë e Financave. Të tjerët të punësuar në sektorin publik duhet të presin Ligjin e ri të pagave ose miratimin e metodologjisë së re për rritje të pagave. Në Ministrinë e Financave me rritjen prej 30%, në bazë të Ligjit për buxhete, nga 1 Janari paga mesatare neto tek ata arriti në 34,504 denarë, më e ulëta 24,180 dhe me e larta 50,895. Ministri Fatmir Besimi tha mes rreshtash se nga diku duhej ta niste, dhe e filloi pikërisht nga të punësuarit e tij.
“Ministria Financave për dallim nga institucionet e tjera nuk ka programe të veta apo projekte investimesh, apo projekte kapitale siç kanë në resorët tjerë. Por, është resor në shërbim të qeverisë dhe të gjithëve që shfrytëzojnë buxhetin në sektorin publik. Sipas praktikës edhe të vendeve tjera, që ne u vijmë në shërbim të gjithë të tjerëve, kurse te Ministria Financave për fat të keq në 4 vitet e fundit kanë ikur 170 apo 20% e të punësuarve që është shifër serioze dhe ne e kemi patjetër të kujdesemi për shërbyesit e thesarit tonë”, tha Fatmir Besimi, Ministër i Financave.
Nga bisedimet e Këshillit socio-ekonomik thonë se kërkesa e sindikalistëve është e pranueshme që në kalkulimin e rritjes së pagave sipas metodologjisë së re të merret bazë paga bruto mesatare në vend.
Ministri Besimi tha se me ndërrimin e Ligjit për nëpunësit administrativ sivjet u harmonizuan pagat e atyre që kishin marrëveshje kolektive, krahas pagës minimale, që nënkupton një rritje lineare prej 2 mijë denarëve. Por, me ndërhyrje të Gjykatës Kushtetuese në “shkrirjen” e një neni në Ligjin aktual, ka bërë që 1.060 funksionarëve tu rriten pagat afër 80% përkatësisht 2.000 denarë në ditë, për punën e njëjtë.
“Konkretisht janë ndryshuar çështjet që i kemi diskutuar me sindikatat i kemi përmirësuar kushtet, tani me zgjidhjen e re të Marrëveshjes së përgjithshme kolektive posa të arrihet, do të shohim sa më shpejtë ta zbatojmë. Qëllimi ynë është ai, nuk shohim mënyra se duhet të konfrontohemi, por duhet të sigurojmë administratë cilësore, ne vitin e kaluar kemi ulur për 2% punësimet në sektorin publik dhe atë shtetëror”, u shpreh Fatmir Besimi, Ministër i Financave.
Përderisa autoritet thonë se rritje të dukshme ka pasur në gjitha sektorët publik, trend i cili është ndjekur pjesërisht edhe në sektorin privat, nëse krahasohemi me vendet tjera, jemi shumë poshtë mesatares. Në listën e publikuar sot nga “World Stastistics” theksohet se Maqedonia e Veriut është në mesin e vendeve me rritje negative të pagave, me -2,8%, që do të thotë se pagat realisht janë ulur për një përqindje të tillë në krahasim me vitin e kaluar. Nga vendet e rajonit, sipas kësaj platforme të statistikave botërore, thuhet se Serbia dhe Bosnje & Hercegovina kanë pasur rritje më të madhe të pagave, 15,2%, përkatësisht 14,8%. /Alsat.mk