Besimi-Byrnes:Mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik me SHBA-në, partner kryesor strategjik

Thellimi i bashkëpunimit ekonomik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasojat ekonomike që mund të ndodhin si pasojë e luftës ruso-ukrainase, si dhe zbatimi i projekteve infrastrukturore, zbatimi i të cilave është vendimtar për zhvillimin e vendit tonë, ishin tema për të cilat ministri i Financave Fatmir Besimi diskutoi me ambasadoren e SHBA-së, Kate Marie Byrnes. Njëkohësisht, në këtë takim ministri informoi edhe për Ligjin për buxhete, miratimi i të cilit nga deputetët është me rëndësi thelbësore.

Marketing

“Qeveria, si deri më tani, do të veprojë maksimalisht në mënyrë të përgjegjshme dhe në interesin më të mirë për mbrojtjen e ekonomisë së brendshme dhe gjendjes financiare të qytetarëve. Jemi duke ndjekur zhvillimet në mënyrë vigjilente dhe zhvillojmë skenarë përkatës për rezultate të mundshme”, tha ministri i Financave Besimi.

Gjithashtu, ai e informoi ambasadoren për pakon e masave që do të realizohen në periudhën e ardhshme me qëllim të përmirësimit të standardit të popullatës dhe konkurrencës së ekonomisë vendase.

Ministri Besimi shprehu mirënjohjen e tij për Qeverinë e SHBA-së, që vazhdimisht ofron përkrahje të konsiderueshme ndaj Qeverisë sonë në zbatimin e aktiviteteve që synojnë rritjen ekonomike dhe stabilitetin, si dhe përforcimin e praktikave demokratike të institucioneve.

Ambasadorja Byrnes i uroi ministrit Besimi për riemërimin e tij si ministër i Financave dhe i uroi sukses në punë dhe konfirmoi përkushtimin për përkrahjen e mëtejshme nga ana e SHBA-së si partneritet strategjik. Ambasadorja Byrnes, theksoi se sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit do të jenë faktorë kyç në përmirësimin e klimës afariste dhe arritjen e synimeve strategjike për rritje më të shpejtë, të qëndrueshme dhe inkluzive.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një nga partnerët më të rëndësishëm strategjikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy vendeve duhet të nxisin bashkëpunim më të thellë ekonomik në të ardhmen e afërt.

Njëkohësisht, në takim u shpreh mirënjohja për përkrahjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila si aleate e NATO-s, iu bashkangjit thirrjes për ndërprerjen e veprimeve luftarake në Ukrainë, që ofron mundësi për përforcimin e bashkëpunimit të ardhshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Marketing