Besimi: Globalizimi i ri dhe investime në tranzicionin e gjelbër, dixhitalizimi dhe kapitali njerëzor

Teoria ekonomike thotë se me specializimin e prodhimit arrihet efikasitet më i madh dhe zvogëlohet çmimi i produktit. Kjo është Teoria e përparësive krahasuese të David Ricardo, që bazohet në përfitimet e tregtisë ndërkombëtare për vendet që orientohen drej prodhimit të specializuar me kosto më të ulët oportune. Që t’i kuptojmë efektet e globalizimit dhe zinxhirët e furnizimit mbi çmimet, ndoshta është më mirë t’i kthehemi bazave ekonomike – ofertës dhe kërkesës.

Marketing

Globalizimi nënkupton që konsumatorët mund të marrin mallra me çmim më të ulët nga
vendet që kanë kosto më të ulët të punës ose teknologji për rritjen e produktivitetit të
prodhimit. Globalizimi më i madh tregtar nënkupton rritje të ofertës së mallrave dhe në
masë të caktuar, të shërbimeve. Oferta më e madhe nënkupton çmime më të ulëta,
nëse të gjithë faktorët e tjerë janë të njëjtë.

Gjatë 50 viteve fundit, globalizimi është nxitur nga kapitali i lirë, energjia e lirë dhe fuqia
punëtore e lirë. Aktualisht, me rritjen e normave të interesit në tregjet ndërkombëtare, si
dhe kostos së punës në Azi, ndërkohë që invazioni ndaj Ukrainës rriti çmimin e
energjensave u ngrit çështja e deglobalizimit ose bazave të tregtisë dhe investimeve
ndërkombëtare. Disa autorë argumentojnë se krizat e fundit, të ndërlidhura me zinxhirët
globalë të furnizimit, tregojnë nevojën e vetëqëndrueshmërisë për rezistencë më të
madhe të ekonomive dhe pabarazi më të ulët. Të udhëhequr nga ngecjet që ndodhën
gjatë pandemisë dhe luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, bizneset u përballën me një
situatë në të cilën për të siguruar procese të pandërprera, duhet të bënin shkurtimin e
zinxhirëve të furnizimit dhe ishin të gatshëm të paguanin më shumë për zinxhirët më të
sigurtë të furnizimit.

Viti që kaloi la gjurmë në ekonominë globale, e njëjtë si me rastin e Bretton Woods në
vitin 1971, ribashkimin e Gjermanisë në vitin 1990 dhe krizën globale financiare të vitit
2008. Për herë të parë që nga viti 1970, bota përballet me një çekuilibër të nxitur nga
ulja e rritjes ekonomike, së bashku me rritjen e shpejtë të inflacionit. Rritja e
fragmentimit gjeo-ekonomik, brishtësia e sektorit financiar, rritja e çmimeve, nivelet e
larta të borxhit, si dhe ndryshimet klimatike, ndikuan fuqishëm, veçanërisht në tregjet në
zhvillim. U bë e qartë se nevojiten modele të reja për reagim efektiv ndaj situatës
aktuale, si dhe ndryshime afatgjata në sisteme. Krizat aktuale, ndër të tjera, vunë në
dukje edhe mangësi sistemike të akumuluara me kalimin e kohës. Vizioni i kufizuar i
sistemeve si sektorë dhe jo entitete dinamike reale multidisiplinare, veçanërisht në
kontekstin e Revolucionit të katërt industrial dhe ndryshimeve klimatike është gjithashtu
një nga pengesat.

Çështja e ndryshimit të rregullave në kontekstin aktual u adresua në Takimet vjetore të
Forumit ekonomik – botëror në Davos. Javën e kaluar, diskutimet e politikëbërësve,
sektorit privat dhe atij joqeveritar u fokusuan pikërisht te “bashkëpunimi në një botë të
fragmentuar”. Edhe pse vazhdimisht është theksuar se për rikthimin e ekonomisë në
rrugën e duhur dhe për t’i realizuar qëllimet e rritjes së qëndrueshme, nevojitet të
përforcohet më tej bashkëpunimi, por edhe të punohet në sisteme të reja bashkëpunimi.
Adresimi i nevojshëm i situatës nëpërmjet vendosjes së sistemeve të reja në drejtim të
energjisë dhe klimës; investimeve, tregtisë dhe infrastrukturës; shfrytëzimit të
gjeneratës së re të teknologjive për inovacion dhe rezistencë në sektorin privat;
investimit në fuqinë punëtore dhe shkathtësive dhe sistemit të ri të dialogut dhe
bashkëpunimit në botën multipolare.

Siç do të thoshte themeluesi i Forumit ekonomik – botëror, Klaus Schwab është e
vështirë të zgjidhen problemet veçmas, sepse të gjitha janë të ndërlidhura dhe nevojitet
qasje holistike për rezultate të mira. Kjo vërehet në secilën nga fushat e interesit, tregtia
dhe investimet janë të lidhura me teknologjinë, teknologjia dhe tranzicioni i gjelbër me
investimet në shkathtësi të reja dhe fuqi punëtore etj.

Ballafaqimi me normat e larta të inflacionit në nivel global, rritja e ulët ekonomike dhe huamarrja e lartë përmes sistemit të ri të investimeve dhe tregtisë

Duke u ballafaquar me një sërë krizash në një periudhë relativisht të shkurtër,
përkatësisht pandemia, tensionet gjeopolitike, çrregullimi i zinxhirëve të furnizimit,
inflacioni i lartë dhe ngadalësimi i rritjes, kriza me produktet ushqimore dhe energjinë
ishte udhëzues i duhur lidhur me atë që duhet punuar në të ardhmen. Hapësira fiskale
gjithashtu u shtrëngua dukshëm dhe kushtet financiare u ashpërsuan, ndërkohë që
problemet e zinxhirit të furnizimit dhe rritja e masave proteksioniste ndikuan në
axhendën e tregtisë globale. Në këto kushte të përkeqësuara, liderët botërorë në
Davos, logjikisht, adresuan çështjen e bashkëpunimit të mëtejshëm – deglobalizimi dhe
fragmentimi gjeo-ekonomik, si dhe mundësia e riglobalizimit (globalizimi i ri).
Tregtia dhe investimet janë shtytësit e rritjes ekonomike, duke i nxitur inovacionet,
lëvizjen e kapitalit dhe njohuritë know – how. Pritshmëritë e Organizatës Botërore të
Tregtisë (OBT) janë që rritja e tregtisë të ngadalësohet në vitin 2023 për shkak të
inflacionit, kostove të larta të energjisë, shtrëngimit të politikës monetare, mungesës së
ushqimit dhe plehut dhe rritjes së nivelit të borxhit në vendet në zhvillim. Pyetja është
se si ta zhvendosim atë dhe ta orientojmë drejt krijimit të ardhmërisë së gjelbër dhe
inkluzive.

Liderët e organizatave financiare ndërkombëtare sugjeruan që politikëbërësit dhe
sektori privat të jenë pragmatikë dhe të bashkëpunojnë, gjegjësisht siç theksoi
drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, nevojitet që
ekonomia globale të mbetet e integruar për mirëqenien e të gjithëve. Drejtoresha e
Organizatës Botërore të Tregtisë, Ngozi Okonjo-Iweala, theksoi se problemet nuk mund
të zgjidhen pa multilateralizëm, bashkëpunim dhe tregti. Përndryshe, jetojmë në një
kohë ku teknologjitë e ndryshojnë tregtinë fizike më shpejt se kurrë, si inteligjenca
artificiale, DLT, shtypja 3D, sensorët inteligjentë, etj., që bartin më shumë elasticitet në
zinxhirin e furnizimit, tregtinë ndërkufitare, menaxhimin më të mirë të rrezikut dhe
zbutjen e krimit financiar. Në këtë drejtim, nevojitet bashkëpunim më i madh për
zbatimin e proceseve të identitetit dixhital, përmirësimin e funksionimit të sistemit dhe
mjedisit rregullator. Gjithashtu, teknologjia është jashtëzakonisht e rëndësishme për
uljen e kostove dhe rritjen e tregtisë së shërbimeve.
Në vitin 2020, me pandeminë, investimet e huaja direkte u ulën për 35%, ndërsa në
vitin 2021 arritën rezultat më të mirë. Në vitin 2022, në suaza globale vërehet
ngadalësim si rezultat i sfidave lidhur me produktet primare dhe kushtet financiare.
Nevoja për vendosjen e investimeve të qëndrueshme është gjithashtu thelbësore, si dhe
mundësia e lëvizjes së lehtë të investimeve të huaja direkte, përmes marrëveshjeve
multilaterale që lehtësojnë bashkëpunimin ndërmjet vendeve. Theksi vihet në
transparencën e rregullave dhe rregullativave, koordinimin ndërmjet ekonomive, si dhe
instrumentet novatore si programe zhvillimore të furnitorëve, bazat e të dhënave të
furnitorëve, bazat e të dhënave të qëndrueshme të investitorëve që do ta përmirësojnë
kapacitetin dhe lidhjen.

Sistemet e reja të energjisë dhe ballafaqimi me ndryshimet klimatike në kontekstin e krizave aktuale të energjisë dhe ushqimit

Pothuajse gjysma e popullsisë së botës, ose rreth 3.3 miliardë njerëz, jetojnë në zona
shumë të ekspozuara ndaj ndryshimeve klimatike. Kostot e ballafaqimit me ndryshimet
klimatike do të rriten në 340 miliardë dollarë në nivel vjetor deri në vitin 2030. Nga disa
aspekte, përfshirë edhe ato fiskale është e domosdoshme të zbatohen targetet e
përcaktuara për reduktimin e emetimeve. Megjithatë, të dhënat tregojnë se situata
aktuale nuk korrespodon me qëllimet e përcaktuara të Marrëveshjes së Parisit. Goditjet
gjeopolitike, si lufta në Ukrainë, kontribuan në rritjen e përdorimit të qymyrit, prodhimi i
të cilit u rrit për 1.2%, duke tejkaluar 8 miliardë tonë në nivel vjetor, për herë të parë që
nga viti 2013, tregojnë të dhënat nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjietikës. Shumica

e analizave tregojnë se për ta kufizuar ngrohjen globale në 1.5°C, emetimet e gazrave
serrë duhet të përgjysmohen deri në vitin 2030.
Që të arrihen qëllimet e ndryshimeve klimatike sipas Marrëveshjes së Parisit, nevojitet
që vendet, si ato të zhvilluara ashtu edhe ato në zhvillim, të zbatojnë politika që do ta
transformojnë mënyrën e prodhimit, shpenzimit dhe investimit, gjë që sigurisht do të
ketë implikime në tregti. Nevojiten teknologji inovative kalimtare, masa efikase dhe
karburante me emetim të ulët. Nevojiet bashkëpunim ndërmjet vendeve, veçanërisht
përkrahje për vendet në zhvillim. Siç theksoi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von
der Leyen, në Davos, “konkurrenca dhe tregtia janë çelësi për përshpejtimin e
teknologjive ekologjike dhe neutralitetit klimatik’.
Transformimi energjetik lidhet ngushtë me ndryshimet klimatike, të cilat dolën në pah
gjatë periudhës së kaluar. Masat që lidhen me tranzicionin energjetik i referohen
teknologjive inovative dhe rritjes së efikasitetit energjetik, si dhe ndarjes së rritjes
ekonomike nga konsumi i energjisë, veçanërisht në vendet në zhvillim. Teknologjia e
gjelbër ishte në zhvillim edhe gjatë dekadës së fundit, falë përmirësimeve të
vazhdueshme, energjia diellore dhe e erës bëhen gjithnje e më të lira. Deri në vitin
2050, sipas disa llogaritjeve kalimi nga karburantet fosile në energjinë diellore dhe të
erës do të kursejë 12 trilionë dollarë në nivel global. Kriza aktuale duhet të jetë
justifikim për t’iu përmbajtur politikave që përkrahin tranzicionin drejt burimeve më të
qëndrueshme të energjisë dhe për shfrytëzimin e këtij momenti që të zhvillohen plane
infrastrukturore më ambicioze, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të investimeve që
do t’i ndihmojnë botës në përmbushjen e qëllimeve deri në vitin 2030.
Teknologjitë e reja janë ato që mund të kontribuojnë në produktivitet dhe
qëndrueshmëri më të madhe në bujqësi. Ato mund të ndihmojnë në testimin e cilësisë
së tokës, mbjelljen, monitorimin e kulturave bujqësore, vlerësimin e përpunimit të
tokës, si dhe lidhjen me furnitorët dhe blerësit e rinj.

Shfrytëzimi i përfitimeve të teknologjive zhvillimore për përmirësimin e inovacionit dhe rezistencës së sektorit privat

Revolucioni i katërt industrial, ndryshimet klimatike dhe fragmentimi gjeopolitik ndikuan
në vendimet e sektorit privat për investime të reja. Vlerësimet janë se rreth 70% të
vlerës së re të krijuar në ekonominë globale do të rezultojë nga teknologjia dixhitale.
Dixhitalizimi depërton në çdo sektor ekonomik dhe i bën ata të adaptueshëm ndaj
kushteve të reja. Përkrahja e bizneseve të vogla që të përfshihen në dixhitalizim, mund
të sigurojë rritje më të shpejtë dhe të qëndrueshme. Nga ana tjetër, platformat dixhitale për produktet bujqësore, si Farm Pas u ndihmojnë miliona bujqve në zonat rurale që të marrin çmime të arsyeshme si dhe financa për zgjerimin e biznesit të tyre.
Gjithashtu, inteligjenca artificiale pritet që të japë kontribut të rëndësishëm në shumë
sektorë si prodhimtaria, bujqësia, farmaceutika, shërbimet shëndetësore dhe kujdesi,
etj. Inovacioni dhe përshtatshmëria në periudhën e ardhshme do të jenë ato që do ta
sigurojnë qëndrueshmërinë e biznesit.
Stimulimi dhe përkrahja e investimeve direkte në fushën e dixhitalizimit, si në tregtinë
elektronike dhe fintech, mund të ofrojnë përkrahje të konsiderueshme për ekonominë
në drejtim të krijimit të vendeve të reja të punës, veçanërisht në periudhën pas Covid-
it.

Investimi në fuqinë punëtore dhe krijimi i shkathtësive

Një çështje tjetër që duhet të përfshihet gjatë përcaktimit të rregullave të reja
ekonomike dhe raporteve janë statistikat e punës, që tregojnë se një numër i madh i
punëtorëve, pavarësisht krizës ekonomike botërore, i lënë vendet e tyre të punës ose
mendojnë të japin dorëheqje. Në ekonomitë në zhvillim, nga ana tjetër, si rezultat i
ngadalësimit të rritjes ekonomike, krijohen presione në drejtim të papunësisë dhe
stabilitetit social. Prandaj, në këto kushte investimet e fuqishme në arsim, shkathtësi
dhe kujdes shëndetësor janë kruciale, të cilat do t'i përgjigjen në mënyrë adekuate
kërkesës së punës.
Nevojat e reja, si transformimi i gjelbër dhe teknologjitë e reja krijojnë nevojë për
vende të reja pune, ndërkohë që ato aktualet nuk nevojiten më. Punëdhënësit në
mbarë botën fokusohen gjithnjë e më shumë në shkathtësitë dhe njohuritë e
punëtorëve, se sa në diplomat dhe përvojat e mëparshme të punës. Prandaj, investimet
në zhvillimin e shkathtësive të caktuara mund të përgjigjen në mënyrë efektive ndaj
nevojave të tregut të punës.

Pritshmëritë afatshkurtra

Liderët botërorë dhe udhëheqësit e institucioneve më të larta financiare ndërkombëtare,
gjatë javës së kaluar dhanë prognozë më optimiste për ekonominë në vitin 2023, por
gjithsesi bënë thirrje për vigjilencë të mëtejshme, sepse sfidat do të vazhdojnë.
Pritshmëritë janë që projeksionet e reja për rritjen globale të rishikohen në rritje,
theksoi drejtoresha e FMN-së, Georgieva.

Sinjale pozitive ka edhe nga fondet e mëdha amerikane të investimeve, pritshmëritë e
të cilëve janë që viti 2023 të bëhet jashtëzakonisht i favorshëm për investime të reja.
Cikli vijues i investimeve, pritet që të nxitet nga inovacionet.
Sfidat vijojnë ende, si tensionet gjeopolitike, ngadalësimi i përkohshëm i ekonomisë së
SHBA-së dhe disa vendeve të BE-së, si dhe karantinat e reja në Kinë. Nga ana tjetër,
pritet gjithashtu ngadalësim i inflacionit, stabilizim i çmimeve të energjisë dhe fitimeve
të korporatave. Pritshmëritë e disa ekspertëve financiarë janë që viti 2023, thënë në
gjuhën e popullit, do të jetë “viti i demit”, edhe pse projeksionet fillestare nga disa
institucione ndërkombëtare janë më konservatore.
Në planin e brendshëm, përkundër disa krizave të njëkohshme, institucionet financiare
ndërkombëtare vlerësojnë se trajektorja afatmesme e ekonomisë së Maqedonisë është
në trend rritës. Në kuadër të Ballkanit Perëndimor, ekonomia jonë është më e hapura sa
i përket tregtisë, gjë që tregon gatishmërinë për t’u përballur me presionet konkurruese
dhe përfshirjen në flukset e globalizimit. Investimi bruto, si përqindje e prodhimit të
brendshëm bruto është gjithashtu në nivel historikisht mjaft të lartë. Mbetemi plotësisht
të përkushtuar për nxitjen e investimeve në fushat prioritare të zhvillimit të qëndrueshëm
siç është tranzicioni i gjelbër, infrastruktura fizike, dixhitalizimi, kapitali njerëzor etj., si
dhe avancimi i politikave dhe reformave për sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë. Siç
thotë teoricieni i menaxhmetit dhe konsulenti Peter Drucker, “mënyra më e mirë për ta
parashikuar të ardhmen është ta krijojmë atë’.