Besimi-Hahn: Janë bërë reforma thelbësore në menaxhimin e financave publike në RMV

Republika e Maqedonisë së Veriut i përket familjes evropiane
dhe gjithmonë mund të mbështetet në përkrahjen e Bashkimit Evropian. BE-ja është
partneri ynë i rëndësishëm në zbatimin e reformave në rrugën drejt integrimit të plotë
evropian, në zbatimin e projekteve të rëndësishme dhe prioritare, por sigurisht që rol të
rëndësishëm ka edhe aspekti i përkrahjes së politikave dhe masave të zbatuara nga
Qeveria në ballafaqimin e krizës. Kjo u theksua në takimin e sotëm të ministrit të
Financave, Fatmir Besimi me eurokomesarin për Buxhet dhe Administratë, Johannes
Hahn në Bruksel.
Në këtë takim, ministri theksoi përpjekjet e Qeverisë për të reaguar njëkohësisht ndaj
sfidave të shkaktuara nga kriza dhe gjithashtu për të vazhduar me politikat që do të
sjellin përshpejtim të rritjes ekonomike. U theksua edhe miratimi i Ligjit të ri të
Buxheteve, i cili do të sjellë ndryshime thelbësore në menaxhimin e financave publike,
si dhe përpjekjet e vazhdueshme të Ministrisë së Financave për përforcimin e
transparencës fiskale, si dhe menaxhimin e duhur në përpilimin e Programit të
reformave ekonomike, i cili është thelbësor në procesin aderues.
Ministria e Financave i dërgoi KE-së kërkesë për përkrahje makrofinanciare, ku në
takim u dha sinjal i qartë se vendi, ashtu si gjatë krizës së Covid-it, mund të mbështetet
në përkrahjen e këtij instrumenti.
“Vendi ynë, tre vite radhazi, si e gjithë bota, është në krizë. Pas krizës dyvjeçare të
Covid-it, pasoi kriza e energjetike dhe ajo e çmimeve. U miratuan pako masash prej 1.1
miliardë euro për të përkrahur popullsinë dhe biznesin në krizën e Covid-it, si dhe dy
pako prej 750 milionë eurosh për ta amortizuar goditjen e krizës aktuale.

Marketing

Që të sigurohet çmimi i subvencionuar për furnizim me energji elektrike për qytetarët
dhe për rreth 70 mijë kompani në tregun e rregulluar, në mënyrë shtesë nga buxheti
janë plasuar 240 milionë euro direkt në EMV për prodhimin e energjisë elektrike dhe për
sigurimin e energjisë termike.
Me këtë, përkrahja ndaj popullsisë dhe ekonomisë arrin në 1 miliard euro. Ky është
presion i madh ndaj buxhetit dhe borxhit publik, por është e rëndësishme që politikat që
po zbatojmë identifikohen nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe kemi arritur të
sigurojmë financimin dhe ta përmbyllim atë me kosto më të ulët të mundshëm”, tha
ministri Besimi.

Në këtë takim ministri Besimi dhe eurokomesari Hahn iu referuan aktiviteteve që po
zhvillohen në kuadër të procesit të aderimit të vendit në BE, pas mbajtjes së
Konferencës së parë ndërqeveritare dhe fillimit të procesit të skriningut, si dhe të
zbatimit të rekomandimeve të theksuara në Raportin e progresit të RMV-së për vitin
2022.