Besimi: Kostoja e kthimit të borxhit të vjetër mbetet e njëjtë edhe me ankandin e euroobligacionit të muajit mars në kombinim me instrumentet e tjera financiare

– Tregu ofron instrumente të ndryshme dhe kostoja apo interesi, përcakton se çfarë do të zgjedhim. Кјо ka ndikuar edhe në vendimin tonë gjatë ankandit të përsëritur për euroobligacionin e 9-të, që kostoja të mos jetë më e lartë se ankandi paraprak, i cili u anulua për shkaqe teknike. Kështu theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi, i ftuar në emisionin “10 minuta” në TV21.

Marketing

“Qytetarët kanë të drejtë të informohen për çdo detaj”. Euroobligacioni hapi shumë tema, shumë çështje. Ajo që është kruciale dhe që duhet të dijë çdo qytetar është fakti se gjatë ankandit për euroobligacionin prej 600 milionë eurove në muajin shkurt, kishte kosto interesi prej 37.5 milionë eurove. Në ankandin e përsëritur të muajit mars, sepse i pari u anulua për shkaqe teknike, për euroobligacionin prej 500 milionë eurove dhe 100 milionë eurove shtesë, të siguruara përmes huasë së favorshme, kostoja e interesit mbetet e njëjtë”, theksoi ministri Besimi.

Duke theksuar se euroobligacioni emetohet për kthimin e detyrimeve të vjetra, të maturuara në vlerë prej 600 milionë eurove, ministri Besimi potencoi se situata është trajtuar në atë mënyrë që për kthimin e vlerës së njëjtë të huamarrjes së vjetër, qëllimi është që kostoja të jetë e njëjtë krahasuar me ankandin e muajit shkurt. Përkatësisht, ministri shpjegoi se janë kombinuar disa instrumente dhe u emetua euroobligacioni në vlerë prej 500 milionë eurove, ndërsa 100 milionë euro të tjera do të sigurohen përmes huasë me kushte të favorshme.

Po ashtu, theksoi se duhet të bëhet diferenca ndërmjet normës nominale dhe reale të interesit, ku nëse merret parasysh inflacioni, norma reale e interesit të huamarrjes është në minus, me ç’rast kjo ka rëndësi sepse në periudhë afatgjate norma është e qëndrueshme në raport me projektimin e saj të rritjes reale ekonomike.

Sipas ministrit, ky nuk është operacion i thjeshtë dhe se mund të mos arrihet më idealja, por në këto kohë turbulente krizash, do të bëhet në mënyrën më optimale Gjithashtu, ai theksoi se më e rëndësishme është se kur plasohemi në tregun ndërkombëtar nga ana e investitorëve, të ketë interes për euroobligacionin, gjë që u tregua në ankandin paraprak kur oferta prej 2 miliardë eurosh ishte më e lartë se ankandi i parë, gjë që tregon se u ruajt vlerësimi kreditor dhe kredibiliteti i vendit.

Besimi, nënvizoi se aspekt i rëndësishëm është se kjo huamarrje bëhet për shlyerjen e borxheve të vjetra dhe se deficiti i paraparë në buxhet prej 700 milionë eurove është destinuar për shpenzime kapitale, të cilat janë projektuar prej 800 milionë eurove dhe do të sigurohen përmes huave të favorshme nga institucionet ndërkombëtare financiare, që po ashtu janë përkrahje e politikave ekonomike dhe masa të planifikuara në buxhet.

Sa i përket realizimit të projekteve të rëndësishme infrastrukturore të Korridoreve 8 dhe 10-D, në intervistë, ministri iu referua Marrëveshjes së nënshkruar me konsorciumin turko-amerikan “Bechtel dhe Enka”. Para se gjithash, ministri theksoi se ky është projekt i rëndësishëm për të cilin në pesë vitet vijuese do të ndahen 1.3 miliardë euro, ku pritet kontribut pozitiv në rritjen e normës së PBB-së.

Gjithashtu, ai iu referua edhe masave të ndërmarra nga Qeveria me qëllim të ndikimit të uljes së inflacionit, si dhe të realizimit të buxhetit.