Besimi: Në vitin 2024 rritja ekonomike do të jetë më e lartë se këtë vit, deficiti dhe inflacioni do të ulen

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, sot në takim me gazetarët theksoi se pritshmëritë për vitin e ardhshëm 2024 janë rritja ekonomike më e lartë se këtë vit, niveli i inflacionit më i ulët dhe vazhdimi i konsolidimit fiskal, si postulatet themelore në Buxhet, i cili duhet të dorëzohet në Kuvend për miratim deri në mes të këtij muaji.

Marketing

Në vitin e ardhshëm presim trend më të favorshëm të rritjes së PBB-së se viti aktual 2023 dhe do të vazhdojmë me konsolidimin fiskal që kemi filluar që në vitin 2021, duke ulur deficitin buxhetor prej 8% aq sa ishte edhe në vitin 2020, me ç’rast këtë vit ai shënon 4.6% dhe presim që ai të vazhdojë të ulet edhe vitin e ardhshëm dhe të arrijë nivelin nën 4% të PBB-së. Shpenzimet kapitale, ashtu si edhe këtë vit, do të jenë në vlerë mbi deficitin, ndërsa mjetet do të parashihen edhe për masat antikrizë”, theksoi ministri Besimi.

Ministri Besimi potencoi se edhe pse viti i ardhshëm është viti i zgjedhjeve, postulatet themelore do të jenë sigurimi i financave dhe rritjes së qëndrueshme, përkatësisht rritja të arrijë mbi nivelin e planifikuar në vitin 2023, ndërsa deficiti të ulet.

Këtë vit kemi realizuar investime kapitale për 110% më shumë, krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa rritje tregojnë edhe parametrat e tjerë, si investimet dhe konsumi i brendshëm që ka qenë edhe shtytësi i rritjes.

Pritet trend rënës te inflacioni, i cili tashmë ka filluar dhe ka arritur në 6.6% në muajin shtator, ndërsa pritet të ulet në periudhën në vijim, ndërsa vitin e ardhshëm, inflacioni mesatar duhet të përgjysmohet, përkatësisht rreth 5%.

Njëkohësisht, ministri theksoi se ka rritje reale te pagat, sidomos që nga muaji prill ato janë rritur më shumë se inflacioni.

Siç theksoi ai, së shpejti do të publikohet pakoja e nëntë e masave antikrizë. Masat do të zbatohen deri në fundvit dhe në fillim të vitit të ardhshëm, ndërsa janë ndarë mjete në vlerë prej 4.6 miliardë denarëve nga Buxheti i këtij viti përmes rishpërndarjes së kryer dhe të miratuar në muajin shtator në Kuvend, po ashtu janë ndarë mjete edhe nga Buxheti i vitit të ardhshëm. Mjetet do të destinohen për kategoritë e ndjeshme dhe për përkrahjen e kompanive.