Besimi: Partneriteti me BB-në vazhdon me programin e ri pesëvjeçar

Performanca ekonomike e Republikës së Maqedonisë së Veriut është pozitive. Ekonomia rezultoi të jetë më rezistente se sa pritej në gjysmën e parë të këtij viti, inflacioni është në nivel njëshifror, politikat buxhetore zhvillohen sipas planit, konsolidimi gradual fiskal vazhdon, ndërsa pjesëmarrja e shpenzimeve kapitale është 5% e PBB-së në nivel vjetor, që do të ketë rol sinjifikativ në gjenerimin e rritjes ekonomike. Kjo u theksua gjatë takimit të ministrit të Financave, Fatmir Besimi, me nënkryetaren e Bankës Botërore, Antonella Bassani, drejtorin ekzekutiv të Bankës Botërore, Koen Davidse dhe drejtorin e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu në Marrakesh, Marok në kuadër të takimeve vjetore të FMN-së dhe BB-së.

Marketing

“Me Bankën Botërore kemi partneritet jashtëzakonisht domethënës prej 30 vitesh. Ky partneritet ka rëndësi të veçantë në zbatimin e reformave të përkrahura përmes projekteve në vlerë prej 2.8 miliardë dollarëve. Përkrahja e siguruar është e rëndësishme në aspektin e pasigurisë ekonomike, ndikimit negativ të Covid-19, luftës në Ukrainë, si dhe projekteve të realizuara aktuale, të cilat i referohen përmirësimit të infrastrukturës komunale, ndërtimit të rrugëve, modernizimit të bujqësisë, efikasitetit energjetik, si dhe reformave në sektorin social dhe arsimin fillor”, nënvizoi ministri Besimi.

Ai thekson se ky partneritet i fuqishëm dhe i pandërprerë do të vijojë edhe në periudhën e ardhshme. Deri në fundvit presim finalizimin e programit të ri pesëvjeçar. Tashmë janë përcaktuar projektet që do të përfshihen në këtë program dhe të cilat do të nënkuptojnë ruajtjen e procesit të reformave në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe sigurimin e rritjes më të qëndrueshme, rezistente dhe të gjelbër.
Në këtë takim u theksua se deri në fundvit pritet të aprovohet huamarrje për politikat zhvillimore prej rreth 100 milionë dollarëve, të orientuara drejt përkrahjes së procesit të reformave në administratën publike, ballafaqimit me ekonominë joformale, si dhe përkrahjes së masave dhe aktiviteteve të parapara me Planin për rritje të përshpejtuar ekonomike.

“Përkrahja e tillë është spirancë drej përpjekjeve tona për konsolidim fiskal, të cilat paraqesin njëherazi konfirmimin e politikave makroekonomike që zbatojmë. Kjo do t’i ndihmojë vendit që të krijojë ekonomi më rezistente dhe të sigurojë zhvillim më të gjelbër”, vlerësoi ministri Besimi.

Në takimet e zhvilluara me përfaqësuesit e lartë të Bankës Botërore mori pjesë edhe guvernatorja e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Anita Angellovska Bezhoska.

Në kuadër të Takimeve vjetore në Marrakesh, ministri Besimi zhvilloi takime me përfaqësues të lartë të FMN-së, ndërsa pritet të takohet edhe me përfaqësues të Bankës së Amerikës, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Korporatës Financiare Ndërkombëtare – IFC dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit – IDA.